2011-05-17 16:32:30

Në Romë, një konferencë për dyfishimin e përpjekjeve kundër trafikut të njerëzve


(17.05.2011 RV)“Të ndërtojmë ura lirie”: ky është titulli i Konferencës Ndërkombëtare për zhdukjen e trafikut të qenieve njerëzore, që do të mbahet nesër në Romë. Takimi është organizuar nga ambasada amerikane në Selinë e Shenjtë dhe nga Universiteti i shën Tomës në Miami (Majemi) të SHBA-ve. Në këtë konferencë do të flasë edhe motër Estrela Kastalone, koordinatore e rrjetit ndërkombëtar të jetës së shuguruar kundër trafikut të qenieve njerëzore, “Talitha Kum”. Në mikrofonin tonë, ajo ndalet në punën e murgeshave kundër formave të reja të skllavërisë. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3

Jemi impenjuar për parandalimin e këtij krimi, sidomos ndër gra e fëmijë. Kryesisht, sensibilizojmë shoqërinë dhe denoncojmë trafikun. Jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me disa viktima, pasi në misionet tona, ne rregulltaret gjendemi në mesin e të gjitha llojeve të braktisjes, të varfërisë dhe prekim me dorë vuajtjen e viktimave, të atyre që kanë mbi trup plagën e kësaj skllavërie. Ne ofrojmë burimet, strukturat tona: spitalet, shkollat, jetimoret.
Cili është objektivi i parë i punës së organizatës “Talitha Kum”?
Shpresojmë të ndikojmë mbi shërimin e rihyrjen në jetë të viktimave të abuzimeve e të dhunës. Kanë pësuar dhunë fizike, mendore, seksuale, kërcënime me vdekje e janë shkatërruar krejtësisht. Rruga e shërimit dhe e rifitimit të dinjitetit është shumë e vështirë. Është i nevojshëm një rrjet shumësektorial për t’i kuptuar ndërlikimet e trafikut të njerëzve, sepse flitet gjithnjë vetëm për prostitucionin, por ka edhe shumë forma të tjera. Veçanërisht, fëmijët përdoren edhe për luftë, punë të detyruar, si “skllevër në shtëpi” e madje, edhe shiten vetëm për t’i hedhur pastaj në tregun e lypësve.
Sipas jush, ç’nevojitet për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore?
Nevojitet një rrjet për ndërhyrje të përcaktuara mirë, duke filluar nga legjislacioni, nga organizimi e tek bashkimi, në mënyrë që për këtë të përdoren të gjitha energjitë e burimet në dispozicion.








All the contents on this site are copyrighted ©.