2011-05-17 16:31:56

Në Montevideo, Mesha me të cilën u hap asambleja e Celam. Intervistë me kardinalin Ojè.


(17.05.2011 RV)Me një Meshë, kremtuar dje në katedralen e Montevideos, kryesuar nga prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë dhe i Komisionit Papnor për Amerikën Latine, kardinali Mark Ojè, u hap asambleja e 33-të e përgjithshme e Celam (Këshilli ipeshkvnor latino-amerikan).
Kisha në Amerikën Latine jeton një çast pozitiv, ndonëse duhet të thellojë vetëdijen se nuk janë ideologjitë, ato që i japin vendit shtytjen përpara e se të krishterët duhet ta çojnë Lajmin e mirë të Ungjillit të Jezu Krishtit në jetën publike. E pohoi edhe kardinali Ojé, në konferencën e shtypit, pas Meshës përuruese, me të cilën u hapën punimet e Asamblesë së 33 -të të Këshillit Ipeshkvnor latino-amerikan në katedralen e Montevideos.
Prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë pranoi se kohët e fundit përqindja e katolikëve është më e ulët, por theksoi edhe se një situatë e tillë po ndryshon, falë misionit kontinental, që nisi tri vjet më parë, pas Konferencës së Aparesidës, mbajtur në Brazil, më 2007. E pikërisht ky mision ishte edhe temë kryesore e homelisë së kremtimit eukaristik përurues, mbajtur në kornizën e katedrales, ku ruhen reliket e Shërbëtorit të Zotit, Gjaçinto Vera, ipeshkëv i parë i vendit dhe uruguajaneve Dolores e Konsuelo Aguiar, martire të luftës civile spanjolle, lumnuar nga Gjon Pali II në vitin 2001.
Kardinali Mark Ojé, në mikrofonin e Radio Vatikanit, flet pikërisht për rëndësinë e këtij takimi të Celamit, në Uruguaj:RealAudioMP3


Përgjigje: - Ka unitet ndërmjet ipeshkvijve, përsa munda të konstatoj, e është, pastaj edhe projekti i madh i misionit kontinental, që po shkon përpara, që nga viti 2007, duke nisur menjëherë pas Asamblesë së Aparesidës. Dua t’i ikurajoj ipeshkvijtë të vijojnë ecjen në këtë rrugë, sepse ky projekt i madh, ky mision kontinental, është pasuri e madhe për Amerikën Latine e për mbarë Kishën.

Pyetje: - Ç’mendim keni për Kishën latino-amerikane?

Përgjigje: - Ka entuziazëm, e ka edhe perspektivë shumë pozitive dhe vërtet ungjillëzuese. Nuk harrohet as përmasa shoqërore, por gjithnjë duke u nisur nga Ungjilli, duke pasur mirë parasysh, së pari, formimin e dishepujve, që duhet të jenë njëkohësisht, edhe misionarë. Idetë e mëdha të Aparesidës, kanë depërtuar thellësisht në vetëdijen e ipeshkvijve, duke çuar përpara një sërë projektesh. Tani, edhe në sajë të nxitjes apostolike “Verbum Domini” (Fjala e Zotit), kremtimit të lectio divina, të Fjalës së Zotit, medituar së bashku: e gjithë kjo, premton shumë për të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.