Atë Federiko Lombardi mbi impenjimet e ardhshme të Papës. Benedikti XVI do t'u flasë
astronautëve
(17.05.2011 RV)Në përfundim të audiencës së ditës së nesërme, Papa do të takohet
me sekretarin e ri të përgjithshëm të Lidhjes Arabe, Nabil al-Arabi, i cili u zgjodh
në këtë detyrë vetëm dy ditë më parë. Al-Arabi ka qenë ministër i jashtëm i Egjiptit.
Lajmi jepet nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, drejtori i së cilës, atë Federiko
Lombardi njoftoi edhe për impenjime të tjera të Benediktit XVI. Të shtunën, më
21 maj, në orën 13.56, Ati i Shenjtë do të lidhet në audiovideo me Stacionin Kozmik
Ndërkombëtar, ku ndodhet, në misionin e saj të fundit, anija Shuttle Endeavour. Në
stacion do të jenë të pranishëm 12 astronautë. Ndërmjet tyre, edhe dy italianët, koloneli
Roberto Vitori e inxhinjeri Paolo Nespoli. Kolonel Vitori mban medaljen e argjendit,
dhuruar nga Papa. Anija u nis dje nga Kejp Kanaveral, pas tri shtyrjesh, në një udhëtim,
që shënon 50 vjetorin e fluturimit të parë në kozmos nga astronauti rus Gagarin dhe
30 vjetorin e vetë shatëllit. Kujtojmë se Stacioni Kozmik Ndërkombëtar ndodhet në
orbitë rreth Tokës, në një largësi prej 400 km. Papa do të flasë me personelin e tij
në lidhje satelitare. Atë Lombardi dha disa detaje edhe për pushimet e Benediktit
XVI. Ati i Shenjtë do të shkojë në Kastel Gandolfo, rezidenca verore e papëve, në
ditët e para të korrikut. Gjatë gjithë muajit nuk do të ketë audienca të përgjithshme,
të mërkurave, ndërsa Lutja e Engjëllit të Tënzot do të bëhet në oborrin e Pallatit
Apostolik të qytezës laciale, si zakonisht, çdo të dielë.