2011-05-16 17:46:59

Letër e Kongregatës për Doktrinën e Fesë mbi abuzimet: ipeshkvijtë të bashkëpunojnë me autoritetet civile


(16.05.2011 RV)Një dokument, për t’i ndihmuar ipeshkvijtë të mbrojnë të miturit dhe t’u ofrojnë “asistencë e pajtim shpirtëror” viktimave të abuzimeve: ky është objektivi i Letrës qarkore të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, e cila u kërkon Konferencave Ipeshkvnore të japin direktivat për mënyrën e trajtimit të rasteve të abuzimit seksual nga ana e klerit. Brenda majit 2012, episkopatet e të gjithë botës duhet t’ia dërgojnë këto direktiva dikasterit vatikanas, të kryesuar nga kardinali Uiliam Levada. Në formulimin e tyre përfshihen edhe eprorët e lartë të rregulltarëve e jo vetëm ipeshkvijtë, përgjegjësit e parë për klerin dioqezan.
Letra, e bërë publike nga Salla e Shtypit e Vatikanit, kërkon të tregohet kujdes i veçantë për viktimat, për parandalimin e abuzimeve, për formimin e seminaristëve e për bashkëpunimin me autoritetet civile. Ajo vjen gati një vit pas botimit, korrikun e shkuar, të Motu proprio-s së Papës Benedikti XVI me titull “Sacramentorum sanctitatis tutela” mbi fajet më të rënda, hartuar nga Papa Gjon Pali II që në vitin 2001. Ipeshkvijtë, thuhet në letër, duhet të ndjekin shembullin e Papës Racinger, i cili është takuar disa herë me viktimat e abuzimeve të klerit, ka dëgjuar ata dhe familjarët, duke u interesuar për ndihmën shpirtërore e psikologjike të dhënë nga Kisha.
Të krijohen ambiente të sigurta për të rinjtë, vazhdon më tej Qarkorja. Të inkurajohen ato programe kishtare, që kanë për qëllim t’i njohin shenjat e abuzimeve e të marrin masat e nevojshme. Pikë tjetër e rëndësishme është formimi i meshtarëve të ardhshëm. Ashtu siç thoshte Papa Vojtila: “nuk ka vend në meshtari e në jetën rregulltare për ata, që u bëjnë keq të rinjve”. Është detyrë e ipeshkvijve, shkruan kardinal Levada, të kuptojnë se cili prej kandidatëve ka thirrje të vërtetë e të mendojnë për formimin e shëndoshë njerëzor e shpirtëror të seminaristëve, duke shkëmbyer informacion të detajuar për ata, që zhvendosen nga njëri seminar në tjetrin. Gjithashtu, ipeshkvijtë duhet të jenë vigjilentë e të zbulojnë shenjat e abuzimeve, duke i trajtuar rastet me respektin e duhur për të gjitha palët.
Një paragraf i rëndësishëm i letrës i kushtohet bashkëpunimit me autoritetet civile. Kujtohet se abuzimi seksual i të vegjëlve nuk është vetëm krim kanonik, por edhe civil. Pa përjashtuar gjykimin e brendshëm në Kishë, pedofilia duhet denoncuar para autoriteteve përkatëse. Ipeshkvijtë, strukturat e personeli kishtar duhet të bashkëpunojnë me to, sipas kompetencave. Hetimi paraprak u përket ipeshkvijve dhe eprorëve të lartë rregulltarë. Nëse dëshmitë për pedofili konsiderohen të besueshme, çështja i kalon Kongregatës për Doktrinën e fesë në Vatikan. Në letër përmenden masat dhe dënimet kishtare për fajtorët, përfshirë heqjen e rrobes së priftit.
Viktimat, shkruhet në Qarkoren vatikanase, duhet të jenë në qendër të vëmendjes së Kishës. Ato duhen trajtuar me respekt, duke ua ruajtur emrin e mirë e duke u ofruar ndihmë. Kjo letër, komenton në një notë zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, është “një hap i ri, shumë i rëndësishëm, për të promovuar në Kishë vetëdijen e nevojës dhe të urgjencës për t’iu përgjigjur si duhet e me largpamësi problemeve të shkaktuara nga plaga e abuzimeve seksuale të anëtarëve të klerit”. Vetëm kështu, Kisha do të mund të rifitojë besimin e njerëzve e të vazhdojë misionin e saj edukativ, si edhe dëshmimin e Ungjillit në shoqëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.