(16.05.2011 RV)Ubaldi lindi në gjirin e një familjeje fisnike, me zanafillë
nga Gjermania. I humbi të dy prindërit, kur ishte ende i mitur. E bëri bir në shpirt
i ungji, me të njëjtin emër, i cili u kujdes shumë për formimin e tij shpirtëror e
mendor. Si arriti në moshë të pjekur, vendosi të bëhej meshtar, dëshirë që e realizoi
në vitin 1114, kur çoi meshën e parë në katedralen e Shën Marianit, në Gubio të
Italisë. Kujtojmë se në atë kohë Gubio ishte qendër e Umbries. Pak më vonë, u
zgjodh epror i kanonikëve të kësaj katedraleje, që i kushtonin tepër pak kohë lutjes,
e edhe më pak, pendesës. Vuri rregull të rreptë, ndryshoi zakonet, krijoi atmosferën
e lutjes e të agjërimit. Por, në vitin 1125, në Gubio ra një zjarr i papritur, që
u përhap me shpejtësi, duke bërë hi e pluhur pjesën më të madhe të qytetit, me katedrale
e me kisha. Kanonikët u detyruan të shpërndahen në kishat e tjera e ai mbeti pa bashkësi.
I dëshpëruar, Ubaldi vendosi të bëhej vetmitar, por pastaj ndërroi mendim. U rikthye
në qytet e iu vu punës për rindërtimin e katedrales e të bashkësisë. Një vit më pas,
në Perugja vdiq ipeshkvi e papa e zgjodhi pasardhës të prelatit të vdekur. Ai kundërshtoi
e iu lut ta linte prift të thjeshtë. Lutja iu pranua. Por pak më vonë vdiq edhe ipeshkvi
i Gubios, e këtë radhë papa nuk pranoi asnjë kundërshtim. E shuguroi ipeshkëv. Iu
desh të pranonte e të përballonte shumë pengesa e vështirësi, shumë thyerje disipline,
që arritën deri në fyerje personale, fizike, kundër ipeshkvit. Ai u përgjigj me një
qetësi për t’u admiruar: pa u frikësuar e pa u zemëruar kurrë. Me këtë frymë e shpëtoi
qytetin nga sulmi i koalicionit të disa prej familjeve të rëndësishme, me në krye
Federik Barbarosën, që dogji Spoleton e rrethoi Gubion. Vdiq si shenjt në Gubio, më
16 maj 1160. Besimtarët, që nisën të flasin menjëherë për mrekulli e profeci, e zgjodhën
pajtor. Më 1192, Papa Çelestini III e shpalli shenjt. Trupi i shenjtit, së pari i
varrosur në katedralen e tij, më 1194 u mbart në një Kishë të Ingjinos. Sot Gubio
e kremton festën e Shën Ubaldit me rite solemne fetare e me manifestime, që bashkojnë
fe, gëzim e fantazi popullore. I famshëm, vrapimi me qirinj të ndezur, që duken si
yje të zbritur nga qielli, në sa besimtarët i ngjiten me ta në dorë malit të Ingjinos,
për ta rrethuar, pastaj, me dritëza, varrin ku ruhen reliket e shën Ubaldit.