2011-05-16 17:45:17

Benedikti XVI në lutjen e Mbretëreshës qiellore: njerëzit kanë nevojë për Zotin edhe në botën teknologjike; thirrje për Libinë.


(16.05.2011 RV)Një thirrje e re, e fuqishme, për rifillimin e dialogut në Libi dhe për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Siri – në qendër të vëmendjes së Papës, pas lutjes së djeshme, drejtuar Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Pastaj, lutja, në Ditën Botërore kushtuar thirrjeve meshtarake, që kremtohej dje dhe kujtimi i meshtarit gjerman, lumnuar po dje, në Bavari. Benedikti XVI kërkoi të mos harrohet Zoti në botën tonë teknologjike. Besimtarët i ftoi të luten shumë për meshtarët, për ipeshkvijtë e edhe për vetë Papën, ipeshkvin e Romës.RealAudioMP3
Para lutjes së djeshme mariane, Benedikti XVI nënvizoi se ndjek me shqetësim të thellë atë, të cilin e quajti “konflikt i armatosur dramatik në Libi”, që po shkakton çdo ditë një numër tepër të madh viktimash në gjirin e popullsisë civile, e jo më pak, vuajtje të të gjitha natyrave:
“Përsëris thirrjen, që rruga e bisedimeve dhe e dialogut të fitojnë mbi atë të dhunës, me ndihmën e organizmave ndërkombëtare, të cilat po përpiqen të gjejnë rrugëzgjidhjen më të përshtatshme për krizën. I siguroj të gjithë se marr pjesë me lutje e me emocion të thellë në impenjimin, me të cilin Kisha vendase po e ndihmon popullsinë, posaçërisht përmes rregulltarëve, të pranishëm në spitale”.
Mendimi i Papës, pastaj, shkoi në Siri ku – theksoi - duhet të rivendoset sa më shpejt bashkëjetesa, e bazuar mbi harmoninë dhe unitetin:
“I lutem Zotit të mos derdhet më gjak në këtë vend, Atdhe i feve e i qytetërimeve të mëdha, e i ftoj autoritetet dhe të gjithë qytetarët të përpiqen pa kursim për të mirën e përbashkët e për mbështetjen e shpresave të ligjshme në një ardhmëri me stabilitet e paqe”.
Duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve, Benedikti XVI nënvizoi se zëri i Zotit në botën e sotme rrezikon të zbehet e të humbasë, ndërmjet korit vigan të zërave, që i flasin nga të katër anët njeriut modern. Por…
“Njerëzit kanë gjithnjë nevojë për Zotin, edhe në botën tonë teknologjike, e do të ketë gjithnjë nevojë për barinj, që e kumtojnë Fjalën e Tij e krijojnë mundësitë për ta takuar Zotin në Sakramente”.
Duke pasur parasysh posaçërisht Ditën e thirrjeve meshtarake e rregulltare, që kremtohej dje, Papa i ftoi besimtarët të luten, që në arat e në kullotat e Zotit të mos mungojnë kurrë bujq e barinj të aftë, që dinë të mbjellin, të korrin e të kullosin, duke i prirë grigjës në ‘lugje të blerta”, siç këndon Psalmisti:
“Ju ftoj të luteni në mënyrë të veçantë për ipeshkvijtë, përfshirë edhe ipeshkvin e Romës, për famullitarët, për të gjithë ata, të cilët i prijnë grigjës së Krishtit, që ta kryejnë shërbimin e tyre me urti e besnikëri”.
Benedikti XVI kujtoi se Jezusi është Bariu i Mirë i grigjës, siç nënvizonte dhe liturgjia e djeshme, e se nuk i braktis kurrë delet e veta. E më pas shpjegoi cila është gjëja e parë, që duhet bërë, për ta ndjekur pas Krishtin:
Duhet dëgjuar Fjala e Tij, nga e cila lind e ushqehet feja. Vetëm kush ia vë veshin mirë zërit të Zotit, është në gjendje t’i vlerësojë, në ndërgjegjen e vet, vendimet më të drejta për të vepruar sipas vullnetit të Tij. Në se e dëgjojmë Jezusin, do të dimë edhe ta ndjekim: njeriu vepron si dishepull, vetëm pasi i ka nxënë me shpirt mësimet e Mjeshtrit, për t’i jetuar, pastaj, ditë për ditë”.
Papa kujtoi edhe jehonën botërore, që pati lumnimi i Gjon Palit II në fillim të majit, për të nënvizuar, më pas, se ka edhe shembuj të tjerë, ndoshta më pak të njohur, por jo më pak të vlefshëm, dëshmitarësh shembullorë, si don Gjustino Maria Rusolilo, themelues i Shoqërive të Thirrjeve Hyjnore, lumnuar të shtunën e kaluar, më 7 maj, dhe meshtari gjerman, Georg Häfner, lumnuar dje, në Vyrzburg, qytet i Bavarisë:
“Ein herzliches 'Grüß Gott' sage ich den Pilgern und …"
Duke iu drejtuar në gjuhën e tyre shtegtarëve gjermanë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI nënvizoi se në sa në Gjermani tërbohej stuhia e nacionalsocializmit, Georg Häfner ishte gati, si bari besnik, ta kulloste grigjën e tij, duke çuar shumë njerëz drejt gurrave të jetës, përmes kumtimit të së vërtetës, mbarshtimit të sakramenteve, e, sidomos, përmes shembullit vetjak, duke derdhur edhe gjakun për Krishtin. Ai, shtoi Papa, i fali me gjithë zemër salvuesit e, nga burgu, i shkroi prindërve: “Ne duam të jemi të mirë me të gjithë, pa përjashtim”. Edhe me vrasësit, prandaj, të cilët, më pas, i fali në sa po i merrnin jetën.

Gjatë përshndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa reflektoi për thirrjet meshtarake e i ftoi besimtarët të luten, që Kishës të mos i mungojnë kurrë barinjtë e mirë. Një përshëndetje të posaçme Ati i Shenjtë ua drejtoi besimtarve të ardhur nga Perugja e nga Parma dhe të rinjve të Pezaros e të Taggi di Sopra, që kanë marrë sakramentin e Krezmimit.
Të gjithëve, të diele e javë të gëzuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.