2011-05-14 17:27:37

Shenjtorët e javës 15 – 22 maj 2011


Sot, Kisha Katolike kremtoi të dielën IV të Pashkëve. Njëkohësisht, u përkujtuan shën Torkuati, ipeshkëv i Guadiksit dhe shën Izidori, bujk. Kjo e dielë na paraqet Krishtin e ringjallur, Bariun e Mirë, në krye të grigjës së vet, gurin që ndërtuesit e hodhën, por që Zoti e vendosi në kënd për të mbajtur krejt shtëpinë.

Nesër, 16 maj, bie festa liturgjike e shën Ubaldit, shën Onoratit, shën Luigjit Orione e shën Aleksandrit. Bibla na tregon se shpirti i njeriut ka etje për Zotin e gjallë. E është pikërisht Jezu Krishti, bariu i grigjës së Zotit, që na njeh në thellësi, që nuk na braktis në rrezik, që ka dhënë e jep jetën e tij përditë për ne. Të lutemi, që të gjithë meshtarët e Kishës t’i përngjasojnë Atij.

Të martën që vjen, leximet na ftojnë të reflektojmë mbi pyetjen: Kush i përket grigjës së Zotit, pra, cilët janë dishepujt e vërtetë të Hyjit? Jezusi na zbulon karakteristikat e tyre: ata ia dëgjojnë zërin, e ndjekin, ndjehen të sigurtë në krahët e Tij. Në këtë ditë, kremtohen shën Paskual Bajloni, e shën Viktori.

Më 18 maj, ditën e mërkurë, festohen shën Gjoni I, papë e martir e shën Feliksi nga Kantaliçe, rregulltar kapuçin. Ungjilli i ditës na tregon se Jezusi erdhi në botë për ta ndriçuar. Ata që nuk e mirëpresin Atë, mbeten në errësirë. Jo, sepse kështu dëshiron Zoti, por sepse njeriu është i lirë të mos e pranojë Hyjin.

Të enjten, 19 maj, Kisha tërheq vëmendjen mbi faktin se i krishteri është “shërbëtor” e “i dërguar”. Shërbëtor si Jezu Krishti, që u lan këmbët dishepujve të vet dhe, i dërguar nga Jezu Krishti, për të zbatuar urdhërimin e dashurisë. Këtë ditë, kremtohen shën Çelestini V, papë; shën Urbani I, papë; shën Ivo, meshtar.

Ditën e premte, Kisha Katolike kremton festën liturgjike të shën Bernardinit nga Siena, meshtar françeskan e të shën Aureas, martire. Ungjilli sipas Gjonit na paraqet fjalën prekëse të lamtumirës së Jezusit, kur Ai u thotë dishepujve se po shkon t’u përgatisë vendin në shtëpinë e Atit Qiellor. E u tregon edhe rrugën e mbërritjes: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta”. Askush pra, nuk do të hyjë në atë shtëpi, veçse përmes Krishtit.

Të shtunën, më 21 maj, bie festa liturgjike e shën Kristofor Magalanes me shokë, martirë në Meksikë dhe e shën Eugjen de Mazenò, ipeshkëv i Marsiljes. Shkrimi i Shenjtë na tregon se marrëdhëniet ndërmjet Atit Qiellor e Birit të tij Jezus janë shumë të thella. “Unë jam në Atin e Ati është në mua”, thotë Krishti. E më pas: “Kush më ka parë mua, ka parë Atin Qiellor”.

E diela e ardhshme është e pesta e Pashkëve. Kisha Katolike kremton shën Ritën e Kashës, apo shenjten e trëndafilave, për shkak të kësaj luleje, që lulëzoi në mes të dimrit, për të ngushëlluar shenjten e sëmurë, e cila çoi të kushërirën për ta marrë, në shtëpinë e vet në Rokaporena.







All the contents on this site are copyrighted ©.