2011-05-14 17:25:00

Pas 30 vjetësh, dy libra hulumtojnë atentatin kundër Papës Vojtila.


(15.05.2011 RV)Në prag të 30 vjetorit të atentatit kundër Papës Gjon Pali II në Sheshin e Shën Pjetrit, më 13 maj 1981, dy libra, që dolën kohët e fundit në Itali, rindërtojnë, në mënyra të ndryshme, intrigën e një ngjarjeje tejet të ndërlikuar në këndvështrimin juridik ndërkombëtar. Vëllimi i parë që po ju paraqesim, është shkruar nga dy gazetarë: Marko Ansaldo, vatikanist i së përditshmes “La Repubblica” dhe Jasemin Tashkin, korrispondente në Itali, e gazetës turke “Sabah”. Titullohet “Vriteni Papën! – e vërteta mbi atentatin e Gjon Palit II”. Tezat e tyre mbështesin mendimin se atësia e atentatit nuk duhet kërkuar në mjediset e ish-regjimit sovjetik të asokohshëm, në të ashtuquajturën pistë bullgare, por në të duhet parë dora e lëvizjes eversive turke “Ujqërit gri”, në të cilën militonte atentatori, Ali Agça.
Folëm me autorin e njërit nga librat, Marko Ansaldo:

Përgjigje: - Që prej 20 vjetësh punojmë për librin tonë, në kuptimin se sidomos Jasemin e ka takuar personalisht atentatorin, me që është gazetare turke. Lidhja, e vijuar në mënyrë të veçantë vitin e fundit, që kur atentatori u lirua e u rikthye në Turqi, shquhet për frymën e mirëbesimit. E takuam sy për sy tri herë e, natyrisht, u përpoqëm të kuptojmë cila është e vërteta. Në një farë pike, ai na tha se të gjitha hamendjet, të gjitha rrugët, që u ndoqën deri më sot, janë krejt të kota, sepse atentati ka qenë një veprim shumë i thjeshtë, që u bë i ndërlikuar vetëm nga ndërhyrja e shumë shërbimeve sekrete ndërkombëtare. Prej këndej, mund të themi se vërtet ishte kompllot, por sipas kërkimeve tona e sipas dokumenteve, që botohen në librin “Vriteni Papën!”, ky ishte kompllot i organizuar dhe i zbatuar nga “Ujqërit gri”, një lukuni, ulurima e kobshme e së cilës, asokohe, ndjehej fort në Turqi.

Pyetje: - E cili është shkaku, që i shtyu Ujqërit Gri ta kryejnë këtë krim kundër Papës?

Përgjigje: - “Ujqërit gri” u përdorën si dorërasë, po gërgasi ishte regjimi i asokoshëm ushtarak, që sundonte Turqinë në vitet 1979-’80, i mirënjohur për akte kundër rendit, çregullime në sheshe, vrasje: ishin vitet e plumbit për Turqinë. Ushtarakët krijuan atmosferën, që u duhej, për të realizuar grushtin e shtetit, puçin e vitit 1980: por duhet kujtuar se, kur e morën pushtetin, ujqërit gri nuk iu deshën më. I shpërndanë, prandaj. E ata u detyruan të iknin. U vendosën sidomos në Francë, në Gjermani e në Austri e që këtu, domethënë nga Austria, u riorganizuan për t’u hakmarrë kundër regjimit ushtarak e për t’i treguar ç’ishin të zotët të bënin. Në këtë pikë nisën të mendonin për një sërë objektivash të nivelit të lartë ndërkombëtar, si Mbretëresha e Anglisë, Thaçer, Brezhnjevi, Kurt Valdhaim, Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, kryetarja e Parlamentit Evropian, Simone Weil. Ndërmjet këtyre njerëzve, që u vunë në shënjestër, ishte edhe Papa, të cilin atentatori e kishte kërcënuar me fjalë, para se t’i drejtonte armën. Kur Ati i Shenjtë ishte, më 1979, në Turqi për vizitë baritore, një farë Ali Agçai i dërgoi një letër gazetës “Milet”, përmes së cilës shprehej hapur: “Do ta vras Papën, kreun e të krishterëve”. Nuk e bëri në këtë rast, por një vit më vonë, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Ilario Martela, gjykatës në Prokurorinë e Romës, që ndoqi hetimet për atentatin, është autori i librit tjetër, titulluar “13 maj ‘81. Tri të shtëna kundër Papës”, botuar nga Ponte alle Grazie. Vëllimi, duke u nisur nga analiza e akteve gjyqësore, fuqizon të ashtuquajturën ‘hamendje bullgare’, sipas së cilës disa shërbime sekrete të Evropës Lindore patën rolin kryesor në organizimin e atentatit.
Kështu theksohet mendimi se Ali Agça nuk ishte i vetmi, që qëlloi Papën pasditen e 13 majit 1981. Në librin-hetim, gjykatësi Ilario Martela përpiqet të sqarojë të vërtetën mbi atentatin, duke u mbështetur dhe mbi analizat, videot dhe fotografitë, përmes të cilave dëshmon se drejt Papës u nisën tre plumba, që dolën nga gryka e dy revolverave: ta dëgjojmë vetë autorin, Ilario Martela:

“Tri të shtëna – nuk ka asnjë dyshim se ishte pikërisht kështu- sepse kemi një dokument kinematografik, që vërteton se Agçai shtiu dy herë, prej këndej, plumbi i tretë u nis nga arma e bashkëpunëtorit të tij, Oral Çelik. Nga ana tjetër, një dëshmitar amerikan e pa bashkëpunëtorin e Agçait, duke ikur me vrap nga vendi i krimit. E shkrova këtë libër për të zbuluar të vërtetën. E e vërteta është se duart, që shtinë mbi Papën, ishin të dy ujqërve turq, po plumbat kishin markën turko-bullgare".

Hamendja nisi nga disa pohime të vetë Agçait, të ngatërruara, ndoshta, edhe me qëllim, e nga disa të tjera, që përkonin plotësisht me faktet, aq sa ta shtynin gjykatësin Martela të nxjerrë para gjyqit katër nënshtetas turq dhe tre nënshtetas bullgarë, të cilët, pastaj, u liruan, për mungesë provash. Ngjarja, në vijim, u mbulua me heshtje të thellë nga institucionet përkatëse të përtej perdes së hekurt. Këto ngjarje të shtyjnë të mendosh se veprimet e Ali Agçait vijonë të jenë ende të pazbuluara e se gjithçka thuhet, është nën sekret ndërkombëtar, që mund të dalë vetëm kur të ftohen gjakrat.
Të dëgjojmë Xhan Franko Sviderkoskin, gazetar e vatikanist:

“Siç pati përshpejtuar Papa Vojtila në librin e tij të fundit “Kujtesë e identitet”, Ali Agçai ishte kriminel i paguar, pas të cilit fshihej vrasësi i vërtetë. Problemi është të zbulohet kush ishte ky vrasës? Mendoj se mbetet ende në këmbë, i mbështetur pastaj tërthorazi nga Papa, e edhe më fort nga kardinali Dxhivish, fakti se atentati duhet të jetë gatuar në kuzhinat kriminale të shërbimeve sekrete të Evropës Lindore, madje ka shumë mundësi që në të të jetë gishti i Kgb-së ruse. Aletatët sovjetikë ishin ustallarë të mëdhenj krimesh, prandaj ia dolën mbanësh të hedhin gurin e ta fshehin mirë dorën!".

Por, megjithatë, më pas, shumëkush e pa të qartë këtë dorë në ngjarjen e 13 majit 1981, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan ku, megjithatë, asnjë sigurim në botë nuk mundi ta ndalojë Dorën misterioze, që e dredhoi plumbin, duke ia ruajtur jetën Gjon Palit II.







All the contents on this site are copyrighted ©.