2011-05-14 17:24:25

Editoriali i atë Federiko Lombardit: “Lutje, mister e dëshirë”


Njeriu, për vetë natyrën e tij, është i prirur të besojë e, natyrisht, edhe ta kërkojë Krijuesin e vet: këtë nënvizoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në vijim të ciklit kushtuar lutjes. Pavarësisht nga parashikimet e atyre, që hamendësojnë zhdukjen e feve, shpjegoi Papa, sot vërehet se njeriu vijon të jetë në kërkim të ethshëm të Zotit. Mbi këtë cikël të ri katekizmi përqendrohet komenti javor i zëdhënësit të Vatikanit, atë Fderiko Lombardi:

“Në audiencat e së mërkurës, Papa filloi një cikël të ri katekizmi mbi lutjen. Nuk është aspak argument i mirënjohur. Nuk është i mirënjohur, sepse konteksti materialist e i shekullarizuar, në të cilin jetojmë, ose aktivizmi frenetik i ditëve tona, bëjnë të lihet mënjanë përmasa e reflektimit dhe e kundrimit të jetës e kështu, edhe lutja.
Nuk është i mirënjohur, sepse shpesh, në ambientet e krishtera, i përmendim lutjet, kërkojmë “formulat” më të mira për to, por shumë më rrallë zbresim më në thellësi, aty ku zemra e jeta jonë vihen përballë me Zotin e lidhin marrëdhënie me Të.
Nuk është argument i mirënjohur, por pasqyron një kërkesë universale, si të “njeriut dixhital, ashtu edhe të banorit të dikurshëm të shpellave”: jo më kot, fjalët e para të Papës zgjuan një interesim të madh. Me të drejtë, Papa u nis nga një lutje e pranishme në të gjitha qytetërimet e kulturat, me citime të shkëlqyera, që arrijnë kulmin në Himnin, që i atribuohet Proklit (filozof bizantin i shkollës së Athinës, neoplatonist) e i drejtohet Zotit “Ti, i Përtejmi i gjithçkaje”: “I panjohur, nuk je brenda asgjëje. Gjithçka, që arrin të kapë mendja jonë, të përket. Ty, o i Patregueshëm, që shpirti ynë ta ndjen praninë, të ngremë një himn heshtjeje!”. Të kuptosh e ta ndjesh se Zoti është Dikush Tjetër, i mistershëm, por njëkohësisht kaq i afërt, pasi në thellësi të shpirtit fshihet “etja për amshimin, nostalgjia për përjetësinë, dëshira për dashurinë, nevoja për dritën e për të vërtetën, që na shtyjnë drejt Absolutes” – me një fjalë, “dëshira për ta njohur Zotin”. Këto janë dy premisat thelbësore, të cilat duhen rizbuluar me gjithë të vërtetën e forcën e tyre, para se t’i drejtohemi Jezu Krishtit për të takuar personalisht, përmes Tij, Zotin e vërtetë. Mister e dëshirë! Ky është terreni i përbashkët i njerëzimit në lutje, mbi të cilin mund të mbijë e të japë fryte edhe fara e çmuar e lutjes së krishterë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.