2011-05-13 18:05:39

Totus Tuus: më 13 maj, 30 vjet më parë, atentati kundër Papës Gjon Pali II


(13.05.2011 RV)Në festën e sotme të Zojës së Fatimës përkujtojmë atentatin kundër Papës Gjon Pali II më 1981 dhe zbulimin e "së fshehtës së tretë" në vitin 2000, ngjarje që lidhen me një fill të vetëm, providencial.

Nuk është gabim po të themi se në zemrën plot devocion marian të një pape si Gjon Pali II, festa e Zojës së Fatimës zinte një vend të privilegjuar. Eshtë një festë që përshkon gjithë papninë me një parabolë të veçantë, duke nisur nga faqja dramatike e 13 majit 1981 e duke përfunduar simbolikisht në Fatima me vizitën në Shenjtërore në vitin 2000. Faqe e jashtëzakonshme edhe ajo e fundit. Zbuloi të fshehtën e tretë të Fatimës, në të cilën përfshihej vegimi i "Ipeshkvit të veshur me të bardha, që binte përdhé si i vdekur, nën goditjet e një arme zjarri".
Kthehemi simbolikisht në pasditen e së mërkures, 13 maj 1981. Është festa e Zojës së Fatimës. Gjon Pali II, prej tri vjetësh në fronin e papnisë, përshkon ngadalë Sheshin e Shën Pjetrit: papritmas lëkundet i gjakosur, ndërsa një zë gjarpëron ndërmjet njerëzve dhe i shndërron buzëqeshjet në lot: "Kanë qëlluar Papën!" .
Ora e madhe e Shën Pjetrit shënon 17. 17. Zhurma e turmës kthehet në një heshtje të thellë. Priten lajme. Emocioni, që trand turmën, prek thellë edhe kronistin e Radio Vatikanit, Benedeto Nardaçi, që është duke ndjekur audiencën:
“Turma është e tëra në këmbë… E tëra në këmbë: Nuk mund të gjej fjalë për ta komentuar skenën që po jetohet…. Mbi Shesh ka rënë një heshtje vdekjeje, priten lajme… Me sa duket, Ati i Shenjtë është qëlluar e plagosur. E kanë shtrirë në makinën e zbuluar, që po hyn me shpejtësi në Vatikan. Ja, për herë të parë flitet për terrorizëm, në një Qytet, prej nga kanë dalë e janë shpërndarë nëpër botë vetëm mesazhe dashurie, mesazhe harmonie, mesazhe paqëtimi”.
Çaste të parrëfyeshme. Në Shesh përhapen lajme, që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Flite për një atentator, për numrin e të shtënave e, sidomos, për plagën që ka marrë Papa. Vdekjeprurëse? Është gjallë? Ku po e çojnë?... Pastaj, si fishkëllimë mortore, një sirenë … Autoambulanca. E konfirmon atë Roberto Tuçi, jezuit, organizator i shtegtimeve të Papës, që pak minuta pas atentatit, është pranë Nardaçit, në Sheshin e Shën Pjetrit:
“Atë Tuçi, nga mikrofoni i Radio Vatikanit, në Sheshin e Shën Pjetrit. Nuk dihet akoma asgjë e saktë për plagën. Në orën 17. 29 pashë me sytë e mi duke dalë një ambulancë nga Porta e Shën Anës. Më njoftuan – ndonëse nuk mund t’ju siguroj se lajmi është plotësisht i vërtetë - se brenda ishte Ati i Shenjtë, që po drejtohej nga Poliklinika Gjemelli”.
Më vonë u sqarua gjithçka:
Dora, që kishte qëlluar, ishte e turkut 22 vjeçar, Ali Agça. Ndërsa Papa transportohej me shpejtësi në Poliklinikën Gjemeli, me një plumb që i kishte përshkuar zorrët, atentatori arrestohej e nisej drejt burgut romak "Regina Coeli".
Gjon Pali II rrezikonte të vdiste gjatë rrugës për në spital, ku iu nënshtrua një operacioni të gjatë e delikat, në sajë të të cilit mundi të mbijetonte.
Më 17 maj 1981 Papa, që tashmë është i Lum, foli nga krevati, ku vuante pasojat e plagës së marrë, që i rrezikoi jetën:
“Ju falënderoj, i prekur thellë për lutjet tuaja e ju bekoj. Lutem për vëllain, që më qëlloi, të cilin e kam falur me gjithë zemër. Zojës së Bekuar i përsëris: “Totus Tuus ego sum!”.Gjon Pali II ka pohuar gjithnjë se mundi të shpëtonte nga vdekja falë ndërmjetësimit të Zojës së Fatimës, festa e së cilës bie pikërisht më 13 maj, në kujtim të 13 majit 1917 kur iu duk për herë të parë, në Kova da Ira, tre barinjve të vegjël portugezë: Luçisë, Françeskut e Gjaçintës. Mesazhi që u përcolli Zoja barinjve të vegjël mbetet aktual: është mesazhi i paqes; ashtu si Shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes, djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi Papën, ngërthyer si stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe një copëz nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet, nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.