2011-05-12 15:51:05

Çelësi i fjalëve të Kishës: ndërgjegjja


I krishteri i bindet Zotit e jo njerëzve: kështu thuhet në Veprat e Apostujve, që na shtyjnë sot të reflektojmë mbi fjalën “ndërgjegje”. Cila është “ndërgjegjja” e kuptimi i saj për besimtarët, ndjekës të Krishtit?
Në gjuhën e Besëlidhjes së Vjetër, ndërgjegjja – aftësia e gjykimit moral, të brendshëm e personal – shprehet me simbolin e “zemrës”. Është edhe termi “neshamah”, filli i mistershëm i jetës, që lidh Krijuesin me njeriun, në një mënyrë krejt të veçantë. Ky realitet, përshkruhet në Librin e Fjalëve të Urta: “Dritëz e Zotit është shpirti i njeriut që depërton deri në fund të zemrës” (20,27). Kemi të bëjmë këtu me “vetëdijen”, e cila përkufizohet me termin grek “synéidesis” nga Libri i Dijes, vepër e vonë biblike, shkruar në greqisht, ku flitet për “ndërgjegjen” e mëkatarit, i cili vuan gjithnjë (17,10).
Por, tema e ndërgjegjes propozohet sidomos nga Shën Pali Apostull në Besëlidhjen e Re. Herë-herë, ndërgjegjja konceptohet si “vetëdije për natyrën e mendimeve e të veprimeve të njeriut”. Diku tjetër, flitet më qartë për cilësitë e saj morale e Apostulli i Popujve përmend ndërgjegjen “e drejtë”, “të pathyeshme” (Vap 23,1; 24,16). Por, ekziston edhe ndërgjegjia “e keqe”, “jo e pastërt” (Tit 1,15; Heb 10,22). Prandaj, është e nevojshme të shohim mirë brenda nesh e ta pastrojmë ndërgjegjen nga impulset perverse.
Pavarësisht se përmendet në shumë pjesë të Biblës, teksti që vërtet mund të quhet “kushtim për ndërgjegjen”, përmbahet në kapitujt 8-10 të Letrës së Parë drejtuar Korintianëve, ku Shën Pali trajton rastin e “idhujtarëve”, pra të atyre që u bënin fli idhujve paganë. Ndodhte, që një i krishterë të ftohej në banketin, që shtrohej pas flijimit të dashit, apo të deles. Apostulli nuk heziton t’u njohë atyre, që kanë “ndërgjegjen” e drejtë e që e dinë se idhujt nuk janë asgjë, të drejtën të marrin pjesë në festa të tilla familjare.
Por nuk harron të shtojë edhe një parim bazë, atë të dashurisë. Vërtet, nëse një i krishterë tjetër – thotë Shën Pali – të sheh në një gosti të tillë e shkandullohet, për hir të dashurisë ndaj vëllait tënd në fe, duhet të heqësh dorë nga pjesëmarrja në banket. Etika e dashurisë është më e larta se të gjitha. Formulohet kështu, edhe pse jo drejtpërdrejt, parimi i respektimit të ndërgjegjes së tjetrit, madje edhe kur ajo nuk është krejtësisht korrekte, por ama shpreh bindjet e tij të thella. Në këtë linjë jo të lehtë, përvijohet debati i ndërlikuar mbi lirinë e fesë e të mendimit.
Meriton këtu të përmendet edhe kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes, i cili del në pah që në Besëlidhjen e Re. Kuptimplote është përgjigjja që i jep Shën Pjetri Sinedrit, kur ky i fundit i imponon të mos predikojë më në emër të Jezusit: “Duhet më tepër të dëgjohet Hyji sesa njerëzit” (shih Vap 5,27-29). Pra, ekziston një ligj i brendshëm, i zemrës, të cilin duhet ta zbatojmë katërcipërisht, edhe nëse kjo kërkon flijimin e interesave personale e madje edhe të vetë jetës, siç dëshmohet nga martirët e krishterë e nga dëshmitarë të tjerë të fesë, edhe para tyre, si hebreu Eleazar (2 Mak 6,18-31).







All the contents on this site are copyrighted ©.