2011-05-10 15:17:12

Zëdhënësi i Kishës në Egjipt: Islami radikal e mbyt revolucionin


“Egjipti është në fillim të luftës civile. E kjo për shkak të grupeve të vogla ekstremistësh islamikë, që mbysin idealet e Revolucionit të jaseminëve, duke nxitur dhunën në pjesën më të madhe të vendit”. Kështu flet për agjensinë misionare AsiaNjuz, kreu i zyrës së shtypit të Kishës Katolike egjiptiane, atë Rafik Greike, zëdhënës i shtatë denominacioneve katolike të vendit. Pas ndeshjeve ndërmjet myslimanëve e të krishterëve në natën e së shtunës e pasi ushtria është në gatishmëri për të shmangur dhunën, meshtari i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë qeverinë e udhëhequr nga ushtarakët, që ajo të mbrojë të gjithë egjiptianët, pa dallim, nga ardhja e një regjimi islamist.
“Gjendja është shumë kritike – thekson atë Greike. Qeveria e ushtarakëve është tepër e dobët dhe ka frikë nga grupet ekstremiste islamike, si salafitët, që duan të krijojnë kaos e çrregullime kudo”. Të krishterët që u ndeshën të shtunën me myslimanët ishin koptë ortodoksë, por meshtari vëren se edhe koptët katolikë janë në rrezik, megjithëse deri tani, nuk është sulmuar asnjë kishë katolike. Madje prifti ortodoks i kishës së Shën Minait, së cilës iu vu flaka nga myslimanët, gjeti strehim në kishën e afërt katolike. “Gjatë ndeshjeve – pohon atë Greike – salafitët u hakmorrën për këtë dhe vranë nipin 16-vjeçar të ipeshkvit katolik lokal”.







All the contents on this site are copyrighted ©.