2011-05-10 15:16:53

Vëzhguesit: në Shqipëri, zgjedhje transparente


(10.05.2011 RV)Akoma nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, pas zgjedhjeve administrative të së dielës në Shqipëri, por duket qartë se shumica e vendit i ka kaluar socialistëve, madje edhe kështjellat e dikurshme të demokratëve, si Kavaja, Burreli e Laçi, duke bërë që harta politike të ngjyroset në rozë në pjesën më të madhe të saj. Vazhdon beteja e kandidatëve në Tiranë: herë del në krye socialisti Edi Rama, në mandatin e tij të katërt si kryetar bashkie, e, herë demokrati Lulzim Basha.
Ndërkaq, u bë i njohur sot opinioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të Odihrit, zyrës së OSBE-së për të drejtat e njeriut, sipas së cilës “zgjedhjet administrative më 8 maj në Shqipëri janë zhvilluar me konkurrencë dhe transparencë”. Në raport shkruhet se votimet respektuan standartet e OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës, por atmosfera e krijuar shkaktoi polarizimin ekstrem ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës. Vëzhguesit nuk mungojnë të kritikojnë drejtpërdrejt politikën shqiptare.
“Dy forcat kryesore politike – thonë ata – nuk ushtruan me përgjegjësi të plotë detyrat e tyre, duke ndikuar negativisht në administrimin e krejt procesit… Votimet janë kryer relativisht mirë, megjithëse ka pasur vështirësi procedurale, ndërsa operacioni i numërimit të votave është vonuar në shumë zona”.
Pavarësisht nga incidentet e dhunshme gjatë fushatës zgjedhore, të cilat përmenden në raport, vëzhguesit mendojnë se zgjedhjet patën edhe aspekte pozitive, bazë për përparime të ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.