Imzot Filoni emërohet prefekt i ri I Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e
Popujve. Imzot Becciu zëvendës i ri në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë.
Benedikti XVI ka pranuar dorëheqjen e paraqitur nga kardinali Ivan Dias, për arsye
të moshës, nga detyra e prefektit të Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e
Popujve dhe në vend të tij ka emëruar kryeipeshkvin Fernando Filoni, deri më tani
zëvendës për Çështjen e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit. I lindur në Manduria
në Pulia të Italisë, më 1946, imzot Filoni është shuguruar meshtar më 1970 e shuguruar
ipeshkëv më 2001. Para shërbimit të tij si zëvendës pranë Sekretarisë së Shtetit,
mes tjerash, ka qenë nunc apostolik në Filipine e në Irak. Papa ka emëruar sot
edhe zëvendësin e ri për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit,
kryeipeshkvin Giovanni Angelo Becciu, deri më tani nunc apostolik në Kubë. I lindur
në Pattada në Sardenjë të Italisë më 1948, imzot Becciu është shuguruar meshtar më
1972 e ipeshkëv në vitin 2001.