2011-05-09 16:23:20

Thirrja e Këshillit Ekumenik të Kishave për paqen në Libi


(09.05.2011 RV)Përpjekja për të vendosur paqen në Libi duhet të zhvendoset nga ndeshja me armë në tryezën e bisedimeve, pasi “kjo është mënyra e vetme për të ndalur gjakderdhjen aktuale e për të mbrojtur vërtet interesat e sigurinë e popullit libian”. Kështu pohon sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave, rev.Olav Fykse Tvajt, në një dokument nga selia e organizatës në Gjenevë. Në mesazhin e tij – publikuar nga gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” – përfaqësuesi i 349 organizatave të krishtera, anëtare të Këshillit Ekumenik, nënvizon se që nga shkurti, po ndjek me shqetësim krizën në Libi e rritjen e konfliktit në territorin e saj. Janë civilët, ata që i ndjejnë pasojat, sidomos sulmet e forcave të armatosura të liderit libian, Muhamar Gedafi. Pastori siguron se të krishterët do të luten që hiri i Tënzot t’u ndriçojë mendjen përgjegjësve për këtë situatë, të cilëve u bën thirrje të respektojnë jetën dhe të drejtat e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.