Shqipëri: Ipeshkvijtë katolikë të Vendit për votimet e 8 majit
Po kujtojme edhe nje here qarkoren e Konferencës Ipeshkvore te Shqipërisë per rastin
e zgjedhjeve vendore 8 maj 2011 Të dashur besimtarë, të nderuar qytetarë, Më
8 maj qytetarët e Republikës së Shqipërisë janë të thirrur për të votuar në zgjedhjet
vendore. Avantazhi më i madh i një shoqërie demokratike është fakti se zërat dhe dëshirat
e qytetarëve mund të shprehen, veçanërisht në votime. Atëherë demokracia u garanton
qytetarëve mundësinë jo vetëm për të zgjedhur ata që do të qeverisin, por edhe, sikurse
ka thënë Papa Gjon Pali II, “...për të kontrolluar qeveritarët e vet, ashtu edhe për
t’i zëvendësuar ata në mënyrë paqësore, ku kjo rezulton e arsyeshme”. Gjithashtu në
doktrinën e saj shoqërore, Kisha Katolike shpeshherë u ka kujtuar qytetarëve se votimi
nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrë, në dobi të së mirës së përbashkët.
Në një nga dokumentet më të rendësishme të Konçilit II të Vatikanit lexojmë: “Kisha
mendon se është vepër e lavdishme dhe e nderueshme kur njerëzit kushtohen për të mirën
e shtetit dhe marrin mbi veti barrën e përgjegjësisë duke u shërbyer njerëzve” (GS
57). Prandaj na duhet të shprehim vlerësimin dhe mirënjohjen tonë ndaj atyre që, me
drejtësi dhe pastërti, angazhohen në politikë duke pasur parasysh të mirën e popullit
që i ka zgjedhur për t’i udhëhequr. Duke ju kujtuar detyrën tuaj, si qytetarë,
ju ftojmë të tregoheni të matur gjatë fushatës duke shmangur çdo akt dhune dhe të
përdorni mirë votën tuaj për të mirën e përbashkët. Gjithashtu qysh tani u drejtohemi
atyre që do të zgjidhen si kryetarë bashkishë apo komunash dhe u bëjmë thirrje që:
- të luftojnë çdo lloj korrupsioni. Mos të harrojnë kurrë se pozita e tyre i ka
vendosur si model drejtësie dhe transparence. Viktimat e parë të një sistemi të korruptuar
janë personat më të brishtë dhe të pambrojtur; - të afrojnë dhe të ndihmojnë më
shumë të varfërit, të menjanuarit, të lënët pas dore, të papunët, duke i promovuar
drejt një jete më të denjë. Mos të harrojnë se çdo njeri, i krijuar në përngjasimin
e Hyjit, ka një dinjitet të pazëvendësueshëm. Ju urojmë përzemërsisht Pashkët:
kjo festë na sjelltë sivjet nje shpresë të re që, të ndriçuar nga drita e Krishtit
fitimtar mbi vdekjen, të mund të ndërtojmë së bashku qyteterimin e paqes dhe të vëllazërisë.
Ipeshkëvinjtë e Kishës Katolike të Shqipërisë Tiranë 15.04.2011