2011-05-09 18:45:32

Papa Universitetit Katolik: lidhini gjithnjë ngushtë arsyen me fenë; kërkimin racional, me kundrimin e misterit.


(09.05.2011 RV)Papa përshëndeti Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, në ditën e tij të 87-të, me temë “Në zemër të realitetit”, kremtuar me rastin e 90-vjetorit të themelimit të ateneut nga françeskani italian, atë Agostino Gjemeli. Benedikti XVI e vlerësoi lart Universitetin, përmes një Letre, drejtuar kardinalit Dionigji Tetamanxi, Drejtor i Institutit të Lartë Toniolo i cili, në vartësi nga Selia e Shenjtë, siguron drejtimin e institucionit dhe ecjen e tij besnike në gjurmët e zanafillës.
Që nga viti 1921, kur u nisi veprimtarinë, Universiteti, i themeluar jo pa vështirësi nga atë Gjemeli, ka bërë shumë rrugë: sot ka pesë seli, 14 fakultete, më se 42 mijë studentë. Papa i fton t’i lidhin gjithnjë ngushtë arsyen me fenë; kërkimin racional, me kundrimin e misterit, ashtu si lexohet në librin e natyrës e në atë të Shkrimit Shenjt. E në mënyrë posaçërisht kulmore, në Logos, në Fjalën e mishëruar, në Jezu Krishtin. E është për t’u kujtuar se Universiteti i kushtohet pikërisht Zemrës së Krishtit, mban emrin e kësaj Zemre njerëzore, në të cilën banon përsosurisht hyjnorja, që të ndihmon të njohësh zemrën e vetë realitetit.
Është një udhë, që duhet nisur nga takimi personal me Jezu Krishtin, duke e njohur si të Vërtetë, e cila u përgjigjet të gjitha pyetjeve të shpirtit njerëzor. Fillimi i dijes është frika e Zotit” pohon Libri i Fjalëve të Urta, e me të, edhe Papa.
Shërbimi edukativ i Universitetit, lexohet akoma në Letër, kalon përmes seriozitetit të punës shkencore, ushtrimit për studim metodik, pasionit për kërkime, propozimit të kritereve filozofike themelore, që kanë të bëjnë me vizionin mbi njeriun dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët, me botën e me Zotin. Në këtë kontekst, Papa e vlerëson shumë ndihmesën që Universiteti Katolik i jep shoqërisë, me përvujtëri e me forcën e së vërtetës, përmes impenjimit të një numri të madh të rinjsh, që formohen në sallat e në bankat e tij, për të dalë, pastaj, të përgatitur për shkencën e jetën. Papa u propozoi studentëve tre shembuj të ndritur: të Lumët Gjon Pali II e Henri Njumën dhe të Nderuarin Gjuzepe Toniolo, së shpejti, edhe ky, i Lum, pa harruar, natyrisht, shembullin e themeluesit, Françeskanit të madh e shkencëtarit të madh, Agostino Gjemelit.







All the contents on this site are copyrighted ©.