2011-05-09 16:23:52

Në Pakistan krijohet Ministria për Harmoninë Ndërfetare e për Pakicat


(09.05.2011 RV)Tjetër ndryshim në qeverinë e Pakistanit. Ministria për Pakicat fetare bëhet Ministri Federale për Harmoninë Ndërfetare dhe për Pakicat. Në krye të saj, dy eksponentë të katolicizmit: Paul Bhati, vëllai i ministrit të vrarë, me detyrën e “këshilltarit të veçantë të kryeministrit” dhe, avokati Akram Masih Gill, me detyrën e “ministrit federal”. Ditë më parë, në krye të ministrisë u emërua një mysliman, anëtar i Lidhjes Myslimane-Q, duke shkaktuar reagime negative si nga pakicat fetare, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Vetë Rias Husein Pirzada nuk ishte i kënaqur me detyrën e re e tani, kaloi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në një intervistë me agjensinë katolike Fides, ministri i ri federal, Gill falenderon Papën Benedikti XVI për fjalët dhe impenjimin e tij në mbrojtje të lirisë fetare dhe të bashkësisë së krishterë pakistaneze, në nivel ndërkombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.