2011-05-09 16:24:28

Egjipt: ndeshjet ndërmjet myslimanëve e të krishterëve shkaktuan 12 të vdekur


(09.05.2011 RV)Së paku 190 vetë u arrestuan në Egjipt pas sulmit kundër një kishe në Kajro, shprehje e ndeshjeve ndërmjet myslimanëve e të krishterëve, që në natën ndërmjet së shtunës e së dielës shkaktuan 12 viktima e mëse 280 të plagosur. Ndër të vrarët, edhe një student i shkollës saleziane të kryeqytetit, si edhe i ati i një postulanti kombonian.
Ndeshjet filluan pas përhapjes së një lajmi të pakonfirmuar, se një grua e krishterë, e martuar me një mysliman, që dëshironte të kthehej në fenë islame, mbahej me forcë në kishën ortodokse të Shën Minait në Kajro. Qindra islamikë, të shtyrë nga grupe myslimanësh salafitë, të njohur si integralistë, rrethuan kishën, duke kërkuar daljen e gruas. Gjendja u përkeqësua me shpejtësi deri në ndeshje me armë. Edhe sot, të krishterët, që protestonin për ngjarjen para Radiotelevizionit shtetëror, u sulmuan nga myslimanë salafitë. U desh ndërhyrja e ushtrisë. Për episodin e natës të së shtunës, të dëgjojmë misionarin kombonian, atë Luçiano Verdosha, që prej 16 vjetësh në Egjipt:RealAudioMP3

Hyri një grup njerëzish e filloi të qëllonte. Pastaj u drejtuan kah kisha ortodokse dhe i vunë flakën. Më pas, filluan përleshjet, sepse erdhën këtu edhe të krishterë nga lagje të tjera, ndërsa ushtria u vonua katër orë. Duhet thënë se në të gjithë Lindjen e Mesme ka sektarizma e ndarje. Përveç kësaj, kjo është periudhë shumë kritike, sepse ekzistojnë grupe salafitësh e fondamentalistësh të tjerë islamikë, që manovrohen shumë lehtë. Pse? Kryesisht për dy arsye: injorancë dhe varfëri. Në Lindjen e Mesme, shumica e njerëzve pa kulturë e pa mundësi ekonomike, identifikohet me fenë: kështu, identiteti fetar bëhet gjithçka!

Pas rënies së regjimit të Mubarakut në Egjipt, lëvizja salafite është bërë gjithnjë e më e fuqishme, duke u përpjekur t’i hapë rrugë myslimanizmit ultrakonservator. Por, kështu vihet në rrezik ekuilibri i brishtë ndërmjet besimeve të ndryshme fetare, apo jo?

Duhet thënë se ky këndvështrim i tyre ka qenë gjithnjë i pranishëm në disa sektorë më pak të rëndësishëm të bashkësisë islamike ndërkombëtare. Por, siç thonë myslimanët e moderuar, duhet pasur parasysh se kjo mund të jetë edhe manovër e regjimit të vjetër, që përpiqet të krijojë çrregullime me anën e këtyre grupeve, të cilat më parë mbaheshin nën kontroll. Bashkë me krizën e Lindjes së Mesme, kemi edhe lojën politike të forcave të tjera. Personat e grupeve islamike salafite mund të manovrohen lehtë, pasi kanë nivel kulturor minimal. Unë punoj prej kohësh në lagjet e tyre, duke u përpjekur t’u mbush mendjen të arsimojnë fëmijët, të cilët kështu jo vetëm fitojnë dinjitet, por bëhen edhe më tolerantë. Ky është misioni im në një botë, që në këtë çast të veçantë, ka nevojë për qëndrime të qarta e jo me shumë kuptime, siç ndodh shpesh në politikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.