2011-05-09 17:51:50

Atë Lombardi: vizita e Papës në Venedik, mesazh shprese për dialogun ndërmjet fesë e kulturës.


Të gjitha vizitat papnore janë rast i veçantë takimi ndërmjet Papës e bashkësisë katolike që e ftojnë për t’u përforcuar në fe e shpresë. Po vizitat e Papës e sidomos fjalët e tij shkojnë përtej kufijve brenda të cilëve shtegtimi papnor zhvillohet. Kështu ishte edhe gjatë vizitës së Benediktit XVI në Akuilea e Venedik fund-javën që kaloi, ku përgatitja, pjesëmarrja si dhe vet historia, i mundësuan Papës ta zgjeronte vështrimin e tij në verilindje të Italisë e shumë më gjerë, në Vendet fqinje që dikur kishin si qendër kishtare dioqezën e lashtë të Akuilesë.
Gjatë vizitës së tij, Ati i Shenjtë Racinger, përveç takimit me bashkësinë katolike, është takuar edhe botën e kulturës, të artit e të ekonomisë së Venedikut. E kështu, sipas Atë Federiko Lombardi, vizita e Benediktit të XVI në Venedik, është një mesazh shprese për dialogun ndërmjet fesë dhe kulturës për të mirën e mbarë shoqërisë. Pra, jo vetëm besimtarët, por edhe institucionet, si dhe bota e kulturës e jetuan me impenjim e gëzim të madh vizitën e Papës në Verilindje të Italisë. Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit, pas përfundimit të shtegtimit papnor në Akuilea e Venedik, na flet për përgjigjen që i dha popullsia e këtyre vendeve vizitës së Atit të Shenjtë fund-javën që kaloi.

Përgjigje: - Përgjigjja e popullsisë, që kuptohet, është me tradita të mëdha të krishtera, katolike, e gatshme për të mirëpritur çdo fjalë konstruktive të Atit të Shenjtë, ishte plotësisht e qartë, e dukshme, e prekshme.

Pyetje: - Papa bëri thirrje të fuqishme për të mos pasur frikë nga njeriu, që ndryshon prej nesh...

Përgjigje: - Natyrisht. Këtu takohen popuj nga më të ndryshmit; këtu jetohet edhe realiteti i emigracionit, prej këndej, mund të themi se jetohen të gjitha aspektet e pluralizmit, të shoqërisë moderne e të takimit ndërmjet popujve të ndryshëm. Venediku ka qenë gjithnjë qytet i takimit të popujve, në të gjithë historinë e vet: mjafton të shikosh format artistike të Bazilikës së Shën Markut, për shembull. Është vërtet një vend, në të cilin sinteza e frymëzimeve të ndryshme kulturore pati një histori të madhe. Duhet projektuar drejt së ardhmes një frymëzim i tillë, në këndvështrimin kulturor e shpirtëror.

Pyetje: - Pikërisht Kishës së Venedikut Papa i kërkoi: “Shkoni kundër rrymës, drejt Jezusit, duke pasur si qendër Eukaristinë”...

Përgjigje: - Është një frymëzim i krishterë shumë i thellë, duke u nisur nga rrënjët e krishtera e me ngulmin mbi Ungjillin, si rrugë. E pastaj, mbi shenjtërinë, udhë në të cilën jemi të thirrur të gjithë, e posaçërisht, laikët, në botën e sotme. Është horizont shprese, kujtimi i Serenissim-ës, së Përndriturës, siç quhej Republika Detare, lidhur me temën e ‘qytetit qiellor’, e është edhe tejet i thellë: krijon harkun që lidh zanafillën e fesë, me shpresën përfundimtare.

Pyetje: - Papa ripohoi edhe se Ungjilli nuk është ideologji: ndërsa citoi disa herë problemet e relativizmit, që i hapin plagë të reja epokës bashkëkohore...

Përgjigje: - Papa i njeh mirë problemet e kulturës së sotme, me krizën e saj, me paqartësitë, me shqetësimet. Por është edhe njeri që beson në arsyen, në se arsyeja dialogon ndershmërisht me fenë... Ja, rikthehet tematika: të kemi besim në arsyen, në një arsye, që nuk mbyllet në vetvete, por që ia hap portat fesë. E kjo mund edhe të rihapë rrugën për një kulturë, që mund të ndërtojë një ardhmëri të denjë për njeriun, edhe përballë sfidave të reja.

Pyetje: - Papa nderoi reliket e Shën Markut: citoi Piun X, Gjonin XXIII, por dhe të nderuarin Toniolo; ndërsa në Akuile, ripohoi se është e nevojshme një dëshmi e fuqishme, ripohoi idenë...

Përgjigje: - Idenë e shenjtërisë, si pjesë e jetës së përditshme të të krishterit. Kjo- si gjithnjë, frymëzohet edhe nga shembujt e shenjtërisë, që shikojmë rreth nesh. Edhe nga shenjtëria e laikëve, e jo vetëm e papëve të mëdhenj. Prej këndej, shembulli i Toniolos, por edhe i njerëzve të tjerë të rëndësishëm, modele të jetës së krishterë, të cilët lulëzuan në këto troje me rrënjë të thella të krishtera.

Pyetje: - Pamje të rralla, si për shembull fjala ‘Rroftë” e shkruar mbi rërë nga të rinjtë e, sidomos, Papa në gondola, një pamje krejt e pazakontë...
Përgjigje: - Papa në gondola, Canal Grande, Bazilika e Shën Markut e ndriçuar në muzg e edhe vetë Bazilika e Akuilesë prekin zemrat e, kuptohet vetvetiu pse feja në këto vise u lidh gjithnjë shumë ngushtësisht me kulturën. Mesazh i madh dhe për ardhmërinë ky: të vijojmë, prandaj, kërkimin e sintezës ndërmjet fesë, kulturës njerëzore e arsyes, e do të mund të ndërtojmë një botë, në të cilën ia vlen të jetosh. U fol edhe për ‘jetën e mirë’, sipas Ungjillit: të përpiqemi, prandaj, të ndërtojmë një botë, që është edhe e bukur, e mirë, në të cilën dinjiteti i njeriut ndrin edhe në një mjedis, që të ndihmon të ndriçosh. Që nuk të poshtëron, por të larton. Kjo është fryma e këtij shtegtimi, frymë e madhështisë dhe e bukurisë së perspektivave historike e kulturore, që është, edhe ky, mesazh shprese.







All the contents on this site are copyrighted ©.