2011-05-08 19:12:51

“Dëshmoni shpresën e krishterë për njeriun modern”: ky, mandati i Benediktit XVI për besimtarët e Verilindjes së Italisë.


Përfundoi udhëtimi dy ditor i Papës Benedikti XVI në Akuilea e në Venedik të Italisë, që kishte në qendër temën e zgjedhur nga ipeshkvijtë e vendit: “Ti përforcoje fenë tonë”. E vërtet, Ati i Shenjtë u tregoi me shembuj e me fjalë se si i duhet dëshmuar njeriut të sotëm, njeriut modern, shpresa e krishterë, pa pasur frikë nga ndryshimi i kushteve politike në kohët që po kalojmë.RealAudioMP3
Dy ditë, që mblodhën në dy qytete njerëz nga krejt Verilindja e Italisë, por edhe nga Istria e afërt e madje, edhe nga shtete të tjera. Papa në gondolën tradicionale venedikase ishte një spektakël, që e shijuan me ëndje jo vetëm të pranishmit, por edhe ata që e ndiqnin përmes televizionit, megjithatë, pavarësisht nga ky udhëtim piktoresk për të shkuar në Bazilikën e Shëndetit të qytetit, duke përdorur të njëjtën gondolë që patën përdorur para tij, edhe Papa Pali VI e Papa Gjon Pali II, ngjarja kryesore e ditës ishte pa dyshim mesha në Parkun e Shën Gjulianit në Mestre, zonë e qytetit të Venedikut, por jashtë qendrës së tij.
160 mijë besimtarë brenda parkut, por 200 mijë me ata që mbetën jashtë tij, e mbushën plot e përplot livadhin e gjelbërt e zonat përreth për të dëgjuar homelinë e Meshës, gjatë së cilës Papa vuri gishtin mbi plagën aktuale të shoqërisë vendase, atë të mospranimit të të huajve, përballë krizës ekonomike. Benedikti XVI i ftoi vendasit ta kapërcejnë frikën nga e reja, nga e ndryshmja, duke u bërë thirrje të krishterëve ta shndërrojnë trishtimin e kohës së tashme në shpresë e gëzim, sipas shembullit të dishepujve të Emausit, që u kthyen për vepër të Krishtit të ringjallur, Zot i jetës. Kishat e lindura nga Akuilea, theksoi Papa, janë të thirrura sot ta përforcojnë bashkimin e tyre të lashtë shpirtëror, në dritën e fenomenit të emigracionit e të rrethanave të reja gjeopolitike:
“Ashtu si në të kaluarën, kur këto Kisha u dalluan për zjarrin apostolik dhe dinamizmin baritor, kështu edhe sot, duhen promovuar e mbrojtur me guxim e vërteta dhe uniteti i fesë. Duhet t’i dëshmojmë shpresën e krishterë njeriut modern, jo rrallë të dërmuar nga problematikat shqetësuese, që çojnë drejt krizës së bazave të ekzistencës e të veprimtarisë së tij”.
Benedikti XVI nuk mungoi të kujtonte se krishterimi i ka shoqëruar me shekuj popujt në rrugën e tyre të historisë. Kjo fe dëshmohet sot në shumë kisha, në art, në spitale, në bibliotekat e territorit dhe në kujdesin për ambientin. Por Papa vuri në pah edhe rrezikun që krishterimi ta ndriçojë vetëm pjesërisht rrugën e njeriut:
“Problemi i së keqes, i dhimbjes dhe i vuajtjes, problemi i padrejtësive dhe i shtypjes, frika nga të tjerët, nga të huajt e nga të largëtit, që vijnë në këto troje e duket sikur na cënojnë, i bëjnë të krishterët e sotëm të thonë me trishtim: ne shpresonim që Zoti të na lironte nga e keqja, nga dhimbja, nga vuajtja, nga frika, nga padrejtësitë”.
Vërtet, vazhdoi Ati i Shenjtë, edhe një popull katolik si ai italian, mund t’i ndjejë negativisht goditjet e një kulture, e cila i shtyn njerëzit drejt një mënyre të menduari, që e refuzon, ose e pengon mesazhin ungjillor:
“Ju inkurajoj të mos dorëzoheni kurrë para tundimeve të shpeshta të kulturës hedoniste dhe para thirrjeve të konsumizmit materialist”.
Në përshëndetjen që i drejtoi Papës, Patriku i Venedikut, kardinali Angjelo Skola kujtoi rrënjët e përbashkëta të krishtera të popujve latinë, sllavë dhe gjermanë, duke pohuar se Kishat e linduar nga Akuilea, 57 dioqeza të Venedikut, Friulit, Trentinos, Lombardisë e të vendeve evropiane fqinjë deri në Bavarisë, kanë edhe sot një detyrë të re, të përbashkët, në favor të vëllezërve, për t’u shpallur bukurinë e Krishtit të gjithë njerëzve.
Në përfundim të Meshës në parkun e Shën Gjulianit, shndërruar në park publik në vitin 2003 e ku sot, për herë të parë u kremtua një meshë, Benedikti XVI tha Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke kërkuar mbrojtjen e Zojës për tokën e lashtë të Akuilesë, në të cilën shumë shenjtërore, kisha e kapela, i janë kushtuar pikërisht Nënës së Krishtit:
“Dhashtë Zoti, që ju, banorë të këtyre tokave të pasura me një histori të gjatë të krishterë, ta jetoni Ungjillin sipas modelit të Kishës së parë, në të cilën shumica e atyre që ishin kthyer në fenë e Krishtit kishin një zemër të vetme e një shpirt të vetëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.