2011-05-08 19:13:13

Kuriozitete nga vizita e Papës në Verilindje të Italisë


(08.05.2011 RV)Gondola
Kujtojmë se Venediku është një nga qytetet më të veçanta të botës, i ndërtuar mbi ujëra, me udhë ujore, të cilat përshkohen me varkat tipike, të njohura me emrin gondola e me motoskafe. Prej këndej, Benedikti XVI shtegtoi edhe me këto mjete. Sot, pasi përfundoi Mesha në Parkun e Shën Julianit, në Mestre, në praninë e 350 mijë besimtarëve, Papa u kthye në Venedik me motovedetë, i shoqëruar nga një vargan varkash të shoqatës së remtarëve të qytetit lagunar.
Ndërsa pasdite Benedikti XVI arriti me gondol në ishullin e Shëndetit. Ishte një ngjarje, që pritej me padurim e, jo më pak, edhe me kureshtje. Për herë të fundit Venediku pa një Papë në gondola, më 1985, kur Karol Vojtila u fotografua e u regjistrua nga telekamerat e mbarë botës, ndërsa kapërcente Canal Grande-n, me gondolën tipike veneciane.

Teksti i Atynës
Italianët e Dalmacisë kërkojnë të mos preket “Atyna” e përkthyer nga Shën Jeronimi.
Gjatë vizitës në Akuile, qendër e rrezatimit të krishtërimit në Veri-Lindjen italiane, njëherësh me Splitin, prej nga u nis Shën Jeronimi për të arritur në Akuile e në Romë, Papës iu paraqit një peticion, përmes të cilit kërkohet të mos modifikohet varianti i Atynës, në gjuhën latine e edhe në gjuhët e tjera, në pjesën ku shkruhet: latinisht “ne nos inducas in tentationem”, duke u zevendësuar me konceptin: italisht “non lasciarsi in tentazione”; në shqip, ‘mos na lërë të biem në tundim”, por të mbetet ashtu si e përktheu Shën Jeronimi. Shprehjet e tjera, sido qofshin, për të cilat thuhet se mund të krijojnë idenë e tundimit të njeriut nga ana e vetë Zotit, sipas autorëve të peticionit, janë me të vërtetë tunduese. Por në këtë rast nuk është Zoti, që i tundon besimtarët. I tundon ndryshimi i një urate themelore për krishterimin, të cilën e mësuan që në prehër të nënës dhe e shqiptuan mijëra herë, në të mira e në të vështira, me fjalët e Shën Jeronimit.
Nuk e kemi në mend të diskutojmë me teologët, që kanë marrë mbi vete të korrigjojnë Shën Jeronimin, Pajtorin më të madh të viseve tona – shkruajnë dalmatët, duke kujtuar se autorët e përkthimit të ri mbështeten jo pak në thënien e Përkthyesit ilir të Vulgatës: “Më fal, o Zot, se jam dalmat, dmth Ilir”. Sipas tyre, gjuha e përkthyesit gjenial ishte një takim i ilirishtes me gjuhën e romakëve. Prandaj ai, duke qenë thellësisht modest, si të gjithë njerëzit vërtet të mëdhenj, i lypte të falur Zotit, nga që druhej se nuk e zotëronte sa duhej latinishten. Këta teologë janë të mendimit se vetëm Djalli, e jo Zoti, mund ta tundojë njeriun”, shkruhet në peticion.
Kongregata e Patriciatit të Italianëve të Dalmacisë, domethënë e pasardhësve të familjeve fisnike e të njerëzve të shquar, që paraqiti peticionin, është një mendjeje me Shën Jeronimin, sipas të cilit Zoti i gjithëpushtetshëm mund të bëjë gjithçka, edhe t’i tundojë njerëzit, siç na e dëshmon Bibla, në të cilën Zoti e vë në provë Abrahamin, duke e tunduar të mos bindet, sepse i kërkon flijimin e birit të vetëm”.
Petcioni është shprehje e shqetësimeve që lindin gjithnjë, kur ndryshohen uratët tradicionale të Kishës, përkthyer nga njerëz të denjë për t’u marrë me një punë, që mund të konsiderohet më delikatja, sepse përkthim i Fjalës së Zotit, në gjuhët e njerëzve!

Kelke e patena prej qelqi të Muranos
Për bashkëkremtimin e sotëm në Parkun e Shën Julianit, kryesuar nga Benedikti XVI, mjeshtrat e punimit të qelqit të Muranos, dhuruan 120 kelke e patena. Janë simbol i vazhdimësisë së këtij arti tipik mijëravjeçar venecian, që vlerësohet jashtëzakonisht nga mbarë bota e që njihet me emrin “Qelq artisik i Muranos”.

Shtegtarë të vërtetë
Sot, në Parkun e Shën Julianit, në radhët e para, pranë elterit, ndiqnin Meshën e kremtuar nga Papa, disa nga autoritetet më të larta vendase, por edhe shtegtarë, ardhur nga vise të largëta. Ishin 7 vetë: 4 burra e 3 gra, ardhur nga Kenia që në ditët e para të majit, enkas për këtë ditë.
Pas tyre, 500 besimtarë ardhur nga bashkësitë e Sllovenisë e të Kroacisë e 500 përfaqësues të bashkësisë së shumënumërt filipinase, me banim në rrethinat e Venedikut.
Por shtegtarë të vërtetë duhen konsideruar dy besimtarë të Polezinës, që u nisën që dje në këmbë nga Rovigo, 70 kilometra larg Mestres. Natën e kaluan pranë Venedikut e pastaj u nisën rishtas, për të arritur në orën 8.00 në hyrjen e Parkut të Shën Julianit: “Kjo është dëshmia jonë e fesë” - shpjeguan, pasi zunë një nga vendet e para.

Shtegtari blegtor
Një prej shtegtarëve, bari nga Trevinjano, pranë Mestres, u paraqit në hyrje të parkut të Shën Julianit, së bashku me lopën e tij. Donte të hynte në Park me gjithë të, duke e përligjur sjelljen e tij me fjalët: “Blegtoria është në krizë, prandaj dua që Papa të ma bekojë lopën”. Shtegtari i çuditshëm nuk pranoi të hynte në Park pa lopën. Prandaj e ndoqi Meshën nga jashtë, duke e marrë bekimin e Papës pranë lopës së tij.









All the contents on this site are copyrighted ©.