2011-05-08 19:14:43

Benedikti XVI për Shën Kromacin


(08.05.2011 RV)Dje, gjatë takimit me Kishën e Akuilesë, Benedikti XVI kujtoi audiencën e tij të 5 dhjetorit 2007, kushtuar Shën Kromacit, sepse përmes figurës së Ipeshkvit Shenjt, mund të njihet zanafilla e historisë së kësaj Kishe, me të cilën u takua Papa, për të planifikuar ardhmërinë, mbi rrënjët e lashta.
Emër arkaik – mësim që nuk perëndon kurrë, shkruan Benedikti XVI. Kromaci ishte ipeshkëv i Akuilesë kur qytetit të rëndësishëm të Veri-Lindjes italiane, qendër e fuqishme e jetës së krishterë, iu desh të përballonte persekutimet e egra të perandorëve romakë, të mbrohej nga sulmet barbare nga jashtë - e nga vala e rreptë e herezisë së Arios nga brenda. Ajo që Kromaci drejton në këto vite me guxim dhe energji është, siç pohon me vetëdije ipeshkvi, anije në detin e trazuar nga stuhia. Por jo anije e shpartalluar. Rreth dyzet predikime, fatbardhësisht të rizbuluara, flasin qartë për mësimet e tij, të cilat Benedikti XVI i përmbledhi kështu: “Kromaci qe mësues i ditur e bari i zellshëm. Detyra e tij e parë e kryesore ishte të dëgjonte Fjalën e Hyjit, për t’u bërë, më pas, kumtues i aftë i saj: në mësimet e tij ai niset gjithnjë nga Fjala e Hyjit e tek ajo rikthehet gjithnjë. Pëlqen posaçërisht disa tematika: së pari, misterin trinitar (…) Pastaj temën e Shpirtit Shenjt (…) Por më tepër nga të gjitha, ai thekson misterin e Krishtit. Fjala e Mishëruar është Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë; mori plotësisht natyrën njerëzore, për të na dhuruar hyjninë e vet.
Në kohën e vet, Kromaci gëzonte një nderim të thellë. Mjafton të mendojmë se atij, së bashku me ipeshkvin e Romës e atë të Milanos, i qe drejtuar një letër, përmes së cilës kërkonte ndihmë ipeshkvi i asokohshëm i Kostandinopojës. Kromaci ishte ipeshkëv trim, i aftë t’i fliste pa sofizma zemrës së njerëzve në periudha kur fjala mund të davariste dëshpërimin e të ringjallte shpresat. Si bari i zellshëm, që ishte, Kromaci diti t’u flasë njerëzve të tij me një gjuhë të freskët, energjike, plot ngjyrime. Pa harruar përdorimin e latinishtes së tij të përkryer, i pëlqente më shumë t’i fliste popullit me gjuhë popullore, të pasur me figura që kuptohen lehtë (…). Gjithnjë në optikën e bariut të mirë, në një periudhë të stuhishme si e tija, të tronditur nga sulmet e tmerrshme të barbarëve, ai diti të qëndrojë pranë besimtarëve për t’i ngushëlluar e për t’u ngjallur në shpirt besimin në Zotin, që nuk i braktis kurrë bijtë e vet.
E nuk krijoi fare kontrast kalimi nga forca njerëzore e doktrinore e ipeshkvit të Akuilesë, në butësi, kur fliste për Virgjërën Mari. Doktrina e tij mariologjike është e kthjelltë dhe e saktë. Atë duhet ta falënderojmë për disa përshkrime të mrekullueshme të së Lumes Zojë: Maria është virgjëra ungjillore e aftë për të pranuar Hyjin; është delja e panjollë e e pa prekur, që lindi qengjin e mbuluar me purpur. Ipeshkvi i Akuilesë e lidh shpesh figurën e Virgjërës me atë të Kishës: që të dyja ‘virgjëra’ e ‘nëna”.Kromaci vdiq në vitin 407 në mërgim, ku ishte strehuar për të shpëtuar nga sulmet mizore të barbarëve. Ai vdiq, por nuk vdesin fjalët e tij: ‘Hyji na njeh, më njeh mua, njeh secilin nga ne, më do, nuk më braktis”.







All the contents on this site are copyrighted ©.