Benedikti XVI në takimin me botën e kulturës e të ekonomisë: bëhuni si qyteti “i përndritur”,
si Jeruzalemi i ri qiellor
(08.05.2011 RV)Pasditen e sotme, Benedikti XVI shkoi në Bazilikën e Shën Markut,
ku ishte mbledhur asambleja për mbylljen e vizitës baritore dioqezane. Më pas, Papa
lundroi me gondola nga sheshi i Shën Markut në Bazilikën e Zojës së Shëndetit, gjithnjë
në Venedik. Këtu, në takimin me botën e kulturës e të ekonomisë, Ati i Shenjtë u nis
nga tri elemente “uji”, “shëndeti” dhe “serenissima” (e përndritura), për t’u lënë
venedikasve këshillat për jetën e tyre të krishterë. Uji, theksoi Benedikti XVI
është simbol i jetës, por edhe i vdekjes, siç e dinë mirë popullsitë e dëmtuara nga
përmbytjet. Uji është i rrjedhshëm, ikën e shkon, siç mund të ikë e të shkojë edhe
kultura e një vendi, edhe politika e tij. Papa i ftoi venedikasit të mos ndërtojnë
qytetin “ e ujshëm”, por atë “të amshuar”: “ Duhet zgjedhur ndërmjet qytetit
“të ujshëm”, atdheu i një kulture, që priret gjithnjë e më shumë kah ajo e relativizmit
dhe e shkujdesjes, dhe një qyteti që e përtërin vazhdimisht bukurinë e vet, duke e
ngjyer penën në burimet e artit, të dijes, të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve e popujve”
– tha Ati i Shenjtë, i cili më pas kaloi tek fjala “shëndet”. “Shëndeti”, tha Benedikti
XVI, është një realitet gjithëpërfshirës, integral: shkon nga “jam mirë”, që na lejon
të jetojmë qetësisht studimin, punën apo pushimet e deri tek “salus animae” (shëndeti
i shpirtit), nga i cili varet fati ynë për amshim. Jezu Krishti, theksoi Papa, është
shëndeti ynë, sepse na zbulon se Zoti e do jetën dhe dëshiron ta çlirojë nga çdo e
keqe, deri tek e keqja më e thellë, që është shpirtërore, është mëkati - rrënja e
helmatisur që prish gjithçka. Është Jezusi ai, që e shëron ndjekësin e dishepullin
e vet, nga ngurtësia e zemrës, nga mbyllja në vetvete dhe e bën të shijojë mundësinë
për të gjetur vetveten, duke e humbur atë, për dashurinë ndaj Zotit e ndaj të afërmit. Fjala
e tretë, nga e cila u nis Benedikti XVI për t’i folur botës së kulturës dhe të ekonomisë,
është pikërisht ajo me të cilën cilësohet Republika e Venedikut: “Serenissima”, e
përndritura. Papa kujtoi se “i përndritur” në kuptimin e plotë të kësaj fjale, është
Qyteti qiellor, Jeruzalemi i ri. Së bashku me etërit e Koncilit II të Vatikanit, të
cilët i citoi, Ati i Shenjtë u vuri në dukje të pranishmëve se emri “Serenissima”
flet për një qytetërim paqeje, themeluar mbi respektin e ndërsjelltë, mbi njohjen
e miqësinë. Venediku, theksoi Papa, ka një trashëgimi shpirtërore e artistike të tillë,
sa mund të ofrojë një kontribut të çmuar për t’i ndihmuar njerëzit të besojnë në një
të ardhme më të mirë e të impenjohen për ta ndërtuar atë. Por për këtë, nënvizoi Benedikti
XVI, është i nevojshëm një element tjetër, që bën pjesë në stemën e Shën Markut: Ungjilli. “Ungjilli
– u la këtë fjalë Papa, qytetarëve të Republikës detare të Italisë Verilindore
– është forca më e madhe shndërruese e botës, por nuk është utopi, as ideologji.
Brezat e para të krishtera e quanin “udhë”, pra mënyrë të jetuari, praktikuar fillimisht
nga Krishti, i cili na fton ta ndjekim. Në qytetin “e përndritur” arrijmë përmes kësaj
udhe, që është rruga e dashurisë në të vërtetën”. Në përfundim të udhëtimit
të tij në Verilindje të Italisë, pas takimit me botën e kulturës e të ekonomisë në
Bazilikën e Zojës së Shëndetit në Venedik e, para nisjes për në aeroportin “Marko
Polo” për t’u kthyer në Vatikan, Papa bekoi Kapelën e Trinisë Shenjte, në të cilën
ka përfunduar restaurimi dhe përuroi Bibliotekën e Studium Generale Marcianum të Venedikut.
Në orën 20.30 arriti në aeroportin e Çiampinos në Romë.