2011-05-08 19:14:08

Bazilika e Shën Mërisë së Shëndetit në Venedik


(08.05.2011 RV)Shën Maria e Shëndetit, të cilën vendasit e quajnë thjesht Kisha e Shëndetit, një nga bazilikat më të njohura të Venedikut, ngrihet në Pikën e Doganës, prej nga soditet panorama e Pellgut të Shën Markut dhe e Kanalit të Madh (Canal Grande). E projektuar nga Baldasar Longena, sipas modeleve të Paladios, është një nga shprehjet më të mira të arkitekturës baroke veneciane. U ndërtua në vitet 1630- 1631, pasi venecianët i premtuan Zojës së Bekuar se do t’i ndërtonin një kishë madhështore, në se do t’i shpëtonte nga epidemia e murtajës, që po e shfaroste popullsinë. Fryt i një kushti të tillë janë edhe dy kisha të jera veneciane, ajo e Shëlbuesit dhe e Shën Rrokut, shenjt që vdiq pikërisht nga murtaja, duke ndihmuar njerëzit e prekur nga kjo sëmundje e tmerrshme epidemike, që endej frikshëm, pa pushim,në udhët e Evropës e, si uragan, zhdukte popullsi të tëra. Këtë herë murtajën e solli në qytet një ambasador i Kontit të Mantovës. E mbyllën menjëherë në strehën për të murtajuarit, që njihej me emrin Lazareti i Vjetër. Por mjaftoi që ai të takohej me një zdrukthëtar vendas, për të infektuar gjithë qytetin, duke nisur nga Campo San Lio.
Më 22 tetor 1630, patriku Gjovani Tiepolo bëri kushtin solemn për ndërtmin e kësaj kishe, që do të kishte emrin simbolik Shën Maria e Shëndetit. E më 26 tetor dozhi dhe mbarë populli u mblodhën për t’u lutur në Sheshin e Shën Markut. Murtaja u zhduk, por duke lënë pas 80. 000 qytetarë venedikas e 600.000 banorë të rrethinave të vdekur e të varrosur në varre kolektive. Ndërmjet tyre, edhe dozhi e patriku.
Bazilika zuri vendin e një kompleksi rregulltarësh, që përfshinte Kishën e Shenjtes Trini, kuvendin e shkollën. Kompleksi u shemb e mbi themelet e tij u ngrit bazilika e re. Më 28 nëntor këtu u kremtua shtegtimi i parë, për të falënderuar Zojën, që i kishte rikthyer shëndetin asaj, që njihej me emrin “Serenissima” - Republikës së fuqishme detare, ligështuar keqas nga sëmundja.
Festa e Zojës së Shëndetit kremtohet më 21 nëntor. Prej shekujsh vendikasit mbërrijë në Kishë, pasi bëjnë një urë të vërtetë me varka, duke lidhur bregun me kishën.
Këtu sot Papa u takua me botën e kulturës dhe të ekonomisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.