2011-05-08 19:13:53

Bazilika e Shën Markut


(08.05.2011 RV)Monument i pashembullt, i ngarkuar me histori e vepra arti, Bazilika e Shën Markut është një nga kryeveprat e arkitekturës botërore, që e mahnit vizitorin qysh në çastin kur sodit fasadën. Mahnitja bëhet mrekullim, kur hyn në ndërtesën kishtare, laborator i vërtetë, në të cilin punuan në shekuj artistët më të mëdhenj italianë e evropianë. Që në hapin e parë, të bie menjëherë në sy karakteri bizantin i Bazilikës. Ta kujtojnë mozaikët, që tregojnë kryesisht ngjarje nga jeta e Shën Markut, duke u ndaluar posaçërisht tek gjetja e trupit të Shenjtit. Trupi, të kujtojnë mozaikët, u gjet nga dy tregtarë venecianë, në Aleksandri të Egjiptit, prej nga u mbart rrugë pa rrugë, nga frika e islamikëve. Ishte viti 829 kur reliket arritën në qytet e u vendosën në atë vend, ku ruhen edhe sot e ku nderohen me përkushtim prej shekujsh. Por ka edhe mozaikë, që, gjithnjë me artin e tyre karakteristik, të shpjegojnë ngjarje nga Besëlidhja e Vjetër dhe e Re.
Madhështia e Qytetit u pasqyrua gjithnjë në përpjekjen e venedikasve për ta pasuruar e për ta zbukuruar vazhdimisht Bazilikën, duke sjellë nga viset e largëta, drejt të cilave lundronin, relike të çmuara e vepra të mëdha arti e duke krijuar, kështu, një monument të jashtëzakonshëm. Drita, që hyn në Bazilikë nga lart, duket sikur e ndan botën tokësore, të zhytur në hije, nga ajo e mbinatyrshme, e cila vezullon me dritë parajsore në qemeret e arta. Në këtë dritë-hije mund të soditësh, pastaj, një pasuri të pallogaritshme ikonografike, me ngjyrime të forta historike, e cila të flet për rolin që luajti Bazilika në rrjedhë shekujsh. Është e pamundur ta shijosh në një ditë të vetme gjithë këtë pasuri, e cila nuk i përket vetëm krishtërimit. Është dhuratë përshpirtërie e arti, që krishterimi i bën mbarë njerëzimit!
Për ta ndërtuar Bazilikën, Venediku mbarti në Perëndim gjithë trashëgiminë shpirtërore të Bizantit. Ndërtesa ka formën e kryqit grek, ndërsa elteri është vendosur në zonën absidale.
Mbi kryqin, mbështeten pesë kupola, simbol i pranisë së Zotit. Poshtë tyre, një mori hapësirash, të stolisura me mozaikët me sfond të artë, që krijojnë atmosferë të jashtëzakonshme shpirtërore. Me vlerë të veçantë, portat e bronzit, që u realizuan në shekullin XI-XII, sidomos Porta e Shën Klementit e Porta da Mar, të gjitha të stolisura me kryevepra relievesh, kryesisht me karakter alegorik, realizuar nga mjeshtrat vendas. Në hapësirat e brendshme të Bazilikës mund të soditen skulptura me vlera të mëdha artistike, si ato të Profetëve, të Virtyteve teologale, të Alegorive të muajve, të mjeshtrive e të tjera alegori me kafshë e engjëj.
Në harkun e dritares së madhe qendrore, nën Shën Markun, Luani me flatra, simbol i Shenjtit, që Republika detare e bëri të vetin. Tregon librin, ku është shkruar: “Pax tibi Marce Evangelista meus”.








All the contents on this site are copyrighted ©.