2011-05-08 19:25:43

Atë Federiko Lombardi kujton Gjon Palin II: Duc in altum!(Dilni në det të hapur)


(08.05.2011 RV)Kaloi një javë nga lumnimi i Papës Gjon Pali II, por ajo ngjarje e mrekullueshme akoma ndjehet thellë në zemrat e njerëzve në të gjithë botën. Ishte një ditë historike, intensive, që u përforcoi besimtarëve fenë në Krishtin dhe, ashtu siç thoshte Papa Vojtila, i shtyu në det të hapur për aventurën e ndjekjes së Ungjillit. Këtij argumenti ia kushton komentin e sotëm javor zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
“Kur pashë arkivolin, që mbante trupin e tij, të ngrihej lart jashtë varrit të hapur, mendova: ja, kthehet mes nesh!”. Kardinali Xhivish shprehu kështu, gjatë Lutjes të së shtunës mbrëma, ndjenjat që përshkuan zemrat e të pranishmëve në atë çast, si edhe të atyre që deshën të viheshin në rresht plot mallëngjim për të kaluar edhe një herë pranë trupit të të Lumit të ri, në qendër të Bazilikës, afër varrit të Shën Pjetrit, ashtu si në ditën e vdekjes. Sigurisht, për besimtarët, Gjon Pali II mbetet gjithnjë i gjallë e i pranishëm, por nuk mund të mohohet se në ditët e Lumnimit, ai u kthye me forcë në mesin e popullit të Zotit, që lutej e festonte. Prandaj, ishin ditë hiri hyjnor. Prandaj e kuptojmë domethënien dhe rëndësinë e çdo Lumnimi, por në veçanti të këtij, në jetën e Kishës Katolike.
Në turmën e panumërt, që qëndronte aty që nga nata, në pritje për t’u afruar në sheshin e Shën Pjetrit, ishin shumë familje të reja, me fëmijët e lindur pas vitit 2000, fëmijë, që natyrisht nuk e kanë njohur Papën Vojtila, por janë trashëgimtarë të brezit të të rinjve “të tij”.
Gjon Pali II e dinte se misioni i tij ishte udhëheqja e Kishës drejt mijëvjeçarit të tretë e, në përfundim të Jubileut të Madh të vitit 2000 na tha, i tha krejt popullit të Zotit: “Duc in altum! Dilni në det të hapur!”. Kisha lundron në detin e thellë të mijëvjeçarit të tretë, por e di se mund të mbështetet në përkrahjen nga qielli të atij pape, që ndërhyn pranë Zotit dhe e fton të mos ketë frikë. Benedikti XVI i bën jehonë në lutje: “Vazhdo të mbështesësh nga Qielli, fenë e popullit të Zotit. Shumë herë na ke bekuar. Sot po të lutemi: O Atë i Shenjtë, na beko!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.