Papa në Akuilea: vetëm në Krishtin njerëzimi mund të gjejë shpresë e ardhmëri.
(07.05.2011 RV)Ati i Shenjtë filloi sot vizitën baritore dyditore në Verilindje
të Italisë. Viziton Akuilenë, Venedikun, Mestren, që e pritën me moton: “Ti përforcoje
fenë tonë!”. Ati i Shenjtë u nis nga Vatikani drejt aeroportit të Çampinos në
orën 15.00. Arriti në Aeroportin “Friuli-Venecia-Xhulia” të Ronkit, rreth orës 16.15.
Për ta pritur kishin dalë autoritetet më të larta shtetërore, politike e kishtare,
ndërmjet të cilëve, patriku Skola, kryeipeshkvi i Goricies, imzot Dino de Antoni dhe
i Udines, imzot Andrea Bruno Macolato; kryetari i rajonit, i nderuari Renco Tondo
dhe autoritete të tjera. U ndalua, së pari, në Akuilea, qytet që i përket kryedioqezës
së Goricies, seli e lashtë e Patriarkatit, në provincën e Udines. E pritën, në Sheshin
e Kapitolit, para Bazilikës, autoritetet më të larta kishtare e shtetërore vendase.
Pas urimit të mirëseardhjes nga ana e kryetarit të bashkisë akuilease, Ati i Shenjtë
u drejtoi pëshëndetjen e tij të përzemërt të pranishmëve, banorë të një zone në evolucion,
që përpiqet të përballojë pasojat e krizës ekonomike e të golobalizimit, të cilat
ndikojnë fuqimisht mbi vendin dhe mbi jetën e njerëzve, duke krijuar mundësi të reja
tekniko-shkencore, rend të ri botëror e marrëdhënie të reja ndërpersonale, por edhe
rreziqe të reja, siç është humbja e identitetit. E Verilindja Italiane nuk dëshiron
të heqë dorë nga rrënjët e veta të lashta, ku mund të gjejë edhe çelësin për planifikimin
e ardhmërisë. Prandaj i viziton Papa këto troje: për t’u kujtuar të gjithëve se Jezusi,
Biri i mishëruar i Hyjit, është bashkëkohas me ne. E kemi shok udhe. Vizita baritore
papnore është përvojë konkrete. Tregon ç’do të thotë të jesh popull, që dëshiron të
jetë pranë vëllezërve në praninë e Shëlbuesit, për të menduar së bashku për një verilindje
të re, si urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, por edhe ndërmjet Veriut e Jugut. Aktuale,
vizita Papnore. Na nxit të gjithëve të reflektojmë për gjendjen e sotme shpirtërore,
shoqërore, ekonomike të mbarë botës, pa harruar se kur Papa flet, prej ngado që të
flasë, i drejtohet njerëzimit. Sapo arriti në Akuilea, Benedikti XVI përshëndeti
jo vetëm besimtarët e Trivenetos, por edhe ata të Sllovenisë, të Kroacisë, të Austrisë
e të Bavarisë e më pas, duke cituar vargjet e ipeshkvit-poet Paolinit, kujtoi lashtësinë
e këtij qyteti që, i lindur në vitin e largët 181, lulëzoi në shekujt e mëpasëm,
duke u bërë një nga qendrat më të bukura të zonës e, sidomos, më i famshmi për klerin
e për kishat, që i kushtoi Krishtit. Nga zanafilla e Akuilesë, mendimi i Papës
shkoi në provincën e largët të Sirisë, ku lindi Biri i Zotit. Nga Jeruzalemi, përmes
Kishës së Aleksandrisë, lajmi i mirë i shëlbimit të Krishtit, arriti edhe këtu, duke
u bërë farë për lulëzimin e shpresës së madhe, që i dhuroi këtij qyteti, asokohe
i nënti në Perandori e i katërti në Itali, për nga rëndësia, një bashkësi martirësh
e dëshmitarësh heroikë të besimit në Krishtin e ngjallur, që e përhapen me guxim Ungjillin
edhe në zonat fqinje. Tokë e bekuar, i quajti Papa këto troje, sepse të vaditura
me gjakun e martirëve, të cilëve iu lut të ndërmjetësojnë që kësaj Kishe të mos i
mungojnë kurrë dishepujt e guximshëm të Krishtit, të bindur e bindës. Vijoi me
një sintezë të historisë së kësaj Kishe të lashtë Papa, duke nisur nga liria e kultit
të krishterimit, në shekullin IV, deri tek sfidat e ditëve tona, e duke u ndaluar
posaçërisht tek figura e Bariut të lashtë, Kromacit, të cilit, kujtoi Ati i Shenjtë,
i kam kushtuar katekizmin e 5 dhjetorit 2007. “Jam sot ndërmjet jush
pikërisht për të përtërirë traditat e lashta të Kishës së Akuilesë, nënvizoi Ati
i Shenjtë, por sidomos për t’ju përforcuar në fenë e thellë të etërve tuaj. Në këtë
orë të historisë, rizbulojeni e praktikojeni me gjithë shpirt këtë të vërtetë themelore:
‘Vetëm nga Krishti njerëzimi mund të marrë jetë, shpresë, ardhmëri; vetëm në të mund
të gjejmë forcën për të falur, për të kërkuar drejtësinë e për të vendosur paqen”.
Pastaj, thirrja e fuqishme e Atit të Shenjtë drejtuar të pranishmëve,
duke i ftuar të jenë për Kishat e tyre e në gjirin e shoqërisë, “quasi beatorum chorus”,
siç pohonte Jeronimi i klerit të Akuilesë, domethënë të punojnë të bashkuar për unitetin
e fesë, studimin e Fjalës së Zotit, dashurinë vëllazërore, harmoninë gazmore e shumëplanëshe
të dëshmisë kishtare. Duke i ftuar të kujdesen në mënyrë të veçantë për
të varfërit, Papa u kërkoi barinjve të Kishës së Verilindjes së Italisë të jenë gjithnjë
të bashkuar rreth “Grazhdit”, siç shprehej Kromaci, domethënë rreth elterit… “…ku
ushqim është vetë Krishti, Bukë e jetës, forcë në persekutime, shujtë, që të shpëton
nga çdo mosbesim e ligështi, gjellë e guximit dhe burim i flakës së pashuar të dashurisë
së krishterë”. Kujtimi i Kishës Shenjte Nënë të Akuilesë ju ndihmoftë e
haptë para jush shtigje të reja misionare, në këtë periudhë të trazuar historike,
duke ju bërë luftëtarë të unitetit e të mirëkuptimit ndërmjet popujve të trojeve tuaja,
tha Papa, që e përfundoi përshndetjen, duke iu drejtuar edhe përfaqësuesve të kishave
të tjera, në gjuhët përkatëse: gjermane, sllovene e kroate.