2011-05-07 12:37:55

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Pashkëve ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hynjore të dielës së 3-të të Kohës së Pashkëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Feja pashkore gjenë ushqimin e vet e zhvillimin e vet në bashkësinë e besimtarëve të mbledhur nga Shpirti për kremtimin e Eukaristisë, do të thotë të lavdërimit të Zotit, duke hapur zemrat për dëgjimin e Fjalës e ndarjen së bashku të Bukës së jetës.
Leximi i parë nga Veprat e Apostujve na ofron dëshmin e parë të Pjetrit. Pasi ka marr Shpirtin Shenjt, Pjetri, shpjegon para njerëzve të Izraelit domethënien e ngjarjeve pashkore të Krishtit.
Leximi i dytë nga Letra e Parë e Pjetrit na ofron dëshmin e dytë të Pjetrit. Mëson ti shohim veprat e mëdha të Zotit të realizuara në Jezu Krishtin e vdekur e ngjallur, e po nga këto të nxjerrim mësim për jetën e krishterë.
Pjesa e Ungjillit nga Luka na tregon ngjarjen e Emausit duke na mësuar ta njohim Krishtin të pranishëm në mesin e të vetëve, të mbledhur në ditën e parë të javës, që shpjegon shkrimet dhe dëftohet në aktin e ndarjes të bukës. Më hollësisht mund të dëgjoni emisionin e sotëm.
Duhet të përjetojmë çdo të dielë përvojën e Pashkëve! Ngjarja e dishepujve të Emausit që ndodh në ditën e parë të javës, na sugjeron se ajo që ka ndodhur mbrëmjen e Pashkëve vazhdon të ndodhë çdo të dielë gjatë Eukaristisë. Pikërisht këtu mund të ndjejmë praninë e Jezusit dhe shoqërinë e tij në udhëtimin tonë: Ai ngroh zemrën tonë me Fjalën e tij, na shndërron në dëshmitarë entuziastë e na dërgon në mision.
Të dielën e Pashkëve dy dishepuj të Jezusit largohen nga Jeruzalemi të zhgënjyer dhe të hidhëruar për kryqëzimin e Mësuesit të tyre. Kthehen plot me gëzim duke sjellë lajmin e ringjalljes. Mes këtyre dy çasteve tregohet ecja e tyre, gjatë së cilës Jezusi u bashkohet atyre pa u bërë i njohur, dhe darka në Emaus në të cilën sytë e tyre hapen ndaj të Ngjallurit.
Në këtë ditë, ditën e Zotit, Krishti i Ngjallur hap zemrat e tyre ndaj inteligjencës së Shkrimeve dhe ndan Bukën eukaristike, u ridhuron atyre shpresën e ringjalljes së tij dhe shfaqet si dritë që shkëlqen rrugët e trishtimit.
I Ngjalluri është ai që zgjidh dyshimet e dhimbshme dhe mbush boshllëkun e jetës sonë. Ai është Mësuesi që na bën të kuptojmë Shkrimet e Shenjta, dhe Meshtari i madh që thyen për ne bukën e jetës dhe na dhuron Shpirtin e tij, që të mund ta njohim çdo herë që kremtojmë meshën e shenjtë.
Nga ana jonë mbi të gjitha në momentet e errësirës dhe të krizës së besimit duhet ta zbulojmë Zotin që ec gjithmonë me ne.

Leximi i parë (Vap 2, 14.22-23)
Pjesa paraqet dëshminë e parë që apostujt i japin Krishtit, pasi kishin marrë nga Ai, dhuratën e Shpirtit Shenjt. Të dëshmosh dhe të shpallësh atë që ka ndodhur në personin e Jezusit nuk do të thotë të bësh një reportazh, por tu japësh atyre fakteve kuptimin nën dritën e Shkrimeve. Për këtë Jezusi është me të vërtetë Zoti dhe Mesia, pra Shpëtimtari i premtuar nga Hyji.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Ditën e Rrëshajëve Pjetri bashkë me të njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjoni fjalët e mia! Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusin Nazarenas njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini, me anë të tij i bëri ndër ju këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit, ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve. Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet. E njëmend, për të Davidi thotë: ‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh, sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem. Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime, po dhe trupi im do të pushojë me shpresë, sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet. Ti ma tregove udhën që shpie në jetë: në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime.’
Vëllezër, më lejoni t’jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. Por ai, mbasi ishte profet dhe mbasi e dinte se Hyji iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hypte në fronin e tij, qysh më parë e parapau dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha: ‘Nuk qe lënë në nëntokë as trupi i tij nuk e provoi kalbësimin.’
Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë! E djathta e Hyjit, pra, e lartësoi, prej Atit e mori premtimin, Shpirtin Shenjt, dhe e ndikoi ashtu siç po shihni e po dëgjoni edhe ju vetë.
Fjala e Zotit !

Psalmi 16 (15)
Ref:
Na e trego, o Zot, udhën e jetës.
______________
Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,
në dorën tënde është fati im!
______________

E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
______________
Mbarë trupi im pushon në qetësi,
sepse s’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
______________

Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
______________

Leximi i dytë (1 Pjt 17-21)

Krishti duke vdekur ka paguar për lirinë tonë, duke derdhur një çmim shumë më të madhe se ari e argjendi: ka paguar me gjakun e tij dhe me vetë jetën e tij. Tani jeta e Krishtit është bërë e jona: megjithëse jeta e tij është e paprishur dhe e pavdekshme, nuk trembet më nga e keqja dhe nga vdekja.

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, në qoftë se ju e quani atë Atë që pa krahambajtje gjykon gjithkënd sipas veprave të tija, kaloni kohën e shtegtimit mbi tokë me frikën e Zotit!
Dinie mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë send të shkatërrueshëm, argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë.
Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj. Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin.
Fjala e Zotit!

ALELUJA,
Aleluja.
O Zot Jezus, na e shtjello Shkrimin shenjt,
dhe ndeze zemrën tonë derisa e dëgjojmë fjalën tënde.
Aleluja.

Ungjilli (Lk 24, 13-35)

Ungjilltari Luka në të gjithë Ungjillin paraqet jetën e Krishtit si një udhëtim të gjatë drejt Jeruzalemit, qyteti në të cilin vdesin profetët. Pas vdekjes së tij dy dishepujt e Emausit kthehen në shtëpinë e tyre të zhgënjyer, sepse kanë mbaruar ëndrrat e tyre të mëdha me Jezusin e Nazaretit. Jezusi vetë u afrohet atyre dhe shpjegon që ringjallja e tij ishte shpallur në Shkrimet e Shenjta dhe zbulohet në bekimin dhe thyerjen e bukës.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Ditën e Pashkëve dy prej nxënësve të Krishtit po shkonin në një fshat që quhet Emaus, që është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. Ata bisedonin njëri me tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin.
Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni ndër vete udhës?”
Ata u ndalën të trishtuar e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, i përgjigji: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” Ai i pyeti: “Po çka?”
Ata i përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto, sot është e treta ditë me që ndodhën këto ngjarje. Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën shi ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”
Ai u tha: “O të pamendë e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”
E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin shenjt për të. Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën.
Por ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta.
Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falenderua, e theu dhe ua dha. Atyre u hapën sytë dhe e njohën. Por ai u zhduk para syve të tyre. Atëherë i thanë njëritjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin shenjt?” U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”
Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën.
Fjala e Zotit!

E këtu mund të dëgjoni leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit dhe komentin apo homelinë, me pak fjalë programin tonë të së shtunës kushtuar Fjalës së Zotit të së dielës…RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.