2011-05-07 18:49:09

Benedikti XVI në takimin e madh kishtar të Akuilesë: të krishterët ta duan jetën, familjen, drejtësinë e solidaritetin.


(07.05.2011 RV)Pas përshëndetjes në Sheshin e Kapitolit, në Akuilea, rreth orës 17.00, Benedikti XVI hyri në Bazilikë, ku filluan punimet e mbledhjes, që i parapriu fazës së fundit përgatitore të takimit II Kishtar të kësaj zone së Italisë, me temë: “Duke dëgjuar atë, që Shpirti Shenjt u thotë Kishave të Verilindjes”. Mbledhja e madhe kishtare organizohet njëzet vjet pas takimit të parë të Akuilesë, më 1990.
Në bazilikë ishin mbledhur ipeshkvijtë e Trivenetos, anëtarët e këshillave baritore dioqezane dhe të ftuar të tjerë.
Kujtojmë se simbolika e këtij takimi të madh shprehet në emblemën e zgjedhur për vizitën papnore, e cila duket në të gjitha afishet: dy duar, që ia dorëzojnë njëra -tjetrës Ungjillin. Në sfond, Kryqi i Akuilesë. Dora, që dorëzon Ungjillin, është ajo e Shën Pjetrit; dora, që e merr, e Shën Markut, pajtor i Venedikut; Kryqi, në sfond, simbol shprehës i bashkimit ndërmjet Kishave të Verilindjes!
Në përfundim të takimit, mbajtur në kornizën madhështore të Bazilikës, Papa u drejtoi fjalën 30 pjesëmarrësve në asamble, përfaqësues të 15 dioqezave të Triventos si dhe atyre të Kishave të Sllovenisë, të Austrisë, të Kroacisë, të Bavarisë e edhe të Hungarisë. Të takohesh në Akuile, shpjegoi Benedikti XVI, do të thotë të rikthehesh tek rrënjët, për të qenë përsëri e gjithnjë gurë të ndërtesës shpirtërore, me themele në Krishtin e në dëshmitarët më të njohur të kësaj Kishe, Ermagora e Fortunati, Hilari e Taziani, Krizogoni, Valeriani e Kromaci. Të kthehesh në Akuile, do të thotë, sidomos, të mësosh nga Kisha e lavdishme e këtij vendi, që ju lindi, si të impenjoheni sot, në një botë krejtësisht të ndryshme, për ungjillëzimin e ri të trojeve tuaja e për t’u dorëzuar breznive të reja, trashëgiminë e çmuar të fesë së krishterë:
“Kush ka veshë, të dëgjojë atë që u thotë Shpirti Shenjt Kishave”- kujtoi Papa ftesën që u kanë bërë barinjtë të gjitha kishave të tyre. E Shpirti Shenjt u kërkon t’i lexojnë me sytë e fesë shndërrimet e mëdha në vijim, sfidat e reja, pyetjet, që kërkojnë përgjigje të ngushtme, ndërmjet të cilave, pyetjet më aktuale: “Si ta kumtojmë Jezu Krishtin, si ta komunikojmë Ungjillin e si t’i edukojmë njerëzit me mësimet e fesë?”.
Këtyre pyetjeve Papa iu përgjigj, duke kujtuar punën e madhe, që ka bë Kisha vendase, dioqezë për dioqezë, në përgatitjen Takimit të madh të 2012-tës, për të përballuar sfidat e ungjillëzimit të ri, të rrënjosur në fenë e shekujve të kaluar e të përtërirë me gjakun e forcën e kohëve të reja. Benedikti XVI vijoi të kujtonte traditën e lumnueshme të këtyre trojeve, rolin e pamohueshëm të Ungjillit të Krishtit, frymëzim i përhershëm për jetën shoqërore e politike, gjurmët e të cilit nuk mund t’i shlyejë dot shoqëria e sotme e shekullarizuar:
“Misioni parësor, që Zoti na beson sot, është ta dëshmojmë dashurinë e Tij për njeriun, porositi Papa, duke shpjeguar, në vijim, se kjo mund të arrihet përmes veprave të dashurisë së krishterë, në ndihmë të njerëzve më të pambrojtur: të varfërve, të moshuarve, të sëmurëve, njerëzve me kufizime fizike e mendore, atyre që Shën Pali i quan pjesa më e ligshtë e bashkësisë kishtare”.
Në vijim Papa kujtoi edhe kujdesin për familjen, si qelizë themelore e shoqërisë dhe e bashkësisë kishtare, duke vënë theksin mbi krizën e jetës bashkëshortore e djepat e zbrazur; të rinjtë, pastaj, që sot e shikojnë ardhmërinë me mosbesim, sepse shpesh herë jetojnë në kushte të rënda, ndonëse vijojnë të kenë uri e etje për Zotin e që prandaj, kërkojnë përgjigje.
Papa kujtoi sfidat kryesore, që duhet të përballojë Kisha, në një kohë kur njeriu shpesh herë kërkon vetëm mirëqenien materiale e bota, e sunduar nga materializmi e subjektivizmi, kalon fazën e një krize të rëndë ekonomike e financiare. Në këto situata të ndërlikuara,porositi me forcë Benedikti XVI, Kisha duhet t’i edukojë njerëzit me vetëdijen e krishterë për jetën, përmes kumtimit të Ungjillit:
Fjala e Zotit, vijoi Ati i Shenjtë, duhet të hyjë në të gjitha mjediset, me bindjen se nga feja e jetuar me guxim, lind, si dje, ashtu edhe sot, kultura e dashurisë për jetën, nga zënia deri në perëndimin e natyrshëm; lind promovimi i dinjitetit të njeriut, vlerësimi i familjes, të bazuar mbi martesën besnike, që i hap rrugën jetës së re, lind impenjimi për drejtësi e solidaritet”.
Ndryshimet kulturore, kujtoi Papa, kërkojnë nga ju të jeni të krishterë të bindur, të gatshëm për t’i dhënë përgjigje kujtdo që t’ju pyesë për arsyen e shpresës, të cilën e keni në shpirt, të aftë për të përballuar sfidat e reja kulturore, duke respektuar të gjitha subjektet, që jetojnë në shoqëri. Prej këndej, Papa, duke kujtuar Letrën e Diognetit, nënvizoi edhe domosdoshmërinë e dialogut me njerëzit, që besojnë ndryshe, duke ua propozuar të gjithëve Krishtin, që është Rruga, e Vërteta, Jeta:
“Vijoni, prandaj, ta dëshmoni me zell të pashuar dashurinë e Zotit, sepse një dëshmi e tillë i shërben edhe së mirës së përbashkët të mbarë shoqërisë civile. Nga një dëshmi e tillë lind një brezni e re burrash e grash, të aftë për të marrë mbi vete përgjegjësi të rëndësishme në fushat e ndryshme të jetës shoqërore, në mënyrë të veçantë, në politikë. Pikërisht kjo fushë ka më shumë nevojë se kurrë, sidomos për të rinj, të aftë për të ndërtuar një jetë më të mirë, në shërbim të të gjithëve”.
Nga një impenjim i tillë nuk mund të heqin dorë të krishterët, që janë shtegtarë drejt qiellit, por që vijojnë të jetojnë mbi tokë, në pritje të amshimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.