2011-05-07 14:30:49

7 e 8 maj, Papa takohet me Verilindjen e Italisë, duke nisur nga Akuilea


(07.05.2011 RV)Ati i Shenjtë fillon sot vizitën baritore dyditore në Verilindje të Italisë. Viziton Akuilenë, Venedikun, Mestren, që e presin me moton: “Ti përforcoje fenë tonë!”.
Do të niset nga Vatikani drejt aeroportit të Çampinos në orën 15.00. Pritet në Aeroportin “Friuli-Venecia-Xhulia” të Ronkit, rreth orës 16.15.
Këtu Papa do t’u drejtojë përshëndetjen jo vetëm besimtarëve të Trivenetos, por edhe atyre të Sllovenisë, të Kroacisë, të Austrisë e të Bavarisë.
Pas përshëndetjes, rreth orës 17.00, Benedikti XVI do të hyjë në Bazilikë, ku do të fillojnë punimet e mbledhjes, që i paraprin fazës së fundit përgatitore të takimit II Kishtar të kësaj zone së Italisë, me temë: “Duke dëgjuar atë, që Shpirti Shenjt u thotë Kishave të Verilindjes”. Mbledhja e madhe kishtare organizohet njëzet vjet pas takimit të parë të Akuilesë, më 1990.
Në bazilikë e presin ipeshkvijtë e Trivenetos, anëtarët e këshillave baritore dioqezane dhe të ftuar të tjerë. Papa do t’u drejtojë një fjalim programatik.
Kujtojmë se simbolika e këtij takimi të madh shprehet në emblemën e zgjedhur për vizitën papnore, e cila duket në të gjitha afishet: dy duar, që ia dorëzojnë njëra -tjetrës Ungjillin. Në sfond, Kryqi i Akuilesë. Dora, që dorëzon Ungjillin, është ajo e Shën Pjetrit; dora, që e merr, e Shën Markut, pajtor i Venedikut; Kryqi, në sfond, simbol shprehës i bashkimit ndërmjet Kishave të Verilindjes!
Në përfundim të takimit Papa do të niset me helikopter për në Venedik, për të arritur, pastaj, në Sheshin e Shën Markut, me motovedetë. Kujtojmë se Venediku është një nga qytetet më të veçanta të botës, i ndërtuar mbi ujëra, prej këndej, me udhë ujore, të cilat përshkohen me varkat tipike, të njohura me emrin gondola.
Pas përshëndetjes drejtuar qytetarëve të Venedikut, Papa do të hyjë në Bazilikë, ku do të nderojë reliket e Shën Marku. Më pas do të shkojë në qendrën e patriarkatit, seli e tij gjatë vizitës baritore.
Nesër Benedikti XVI do të jetë në Mestre, në parkun e Shën Julianit, ku do të kremtojë Meshën nën qiellin e hapur, në të cilën pritet të marrin pjesë më se 150 mijë besimtarë. Është takim i Papës me Veri-Lindjen e Italisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.