2011-05-06 17:49:27

Vazhdon protesta në Siri. Policia qëllon mbi demonstruesit


(06.05.2011 RV)Rritet jashtëzakonisht tensioni në Siri. Në përfundim të lutjeve myslimane të së premtes, siç ndodh tashmë prej javësh, mijëra demonstrues kundër regjimit të presidentit Bashar Al Asad mbushën sheshet në qytete të ndryshme të vendit. I menjëherëshëm reagimi i policisë, që hapi zjarr kundër manifestuesve në Damask, duke plagosur disa vetë. Dëshmi në rrjetin shoqëror Tuiter në internet tregojnë se në qytetin Homs kanë hyrë autoblindat. Televizioni Al-Zhazira njofton për 5 të vdekur. Në Latakia, akoma dëgjohen të shtëna. Disidentët janë arrestuar në masë, duke kontrolluar shtëpi më shtëpi, e ministri i brendshëm i bëri thirrje popullsisë të mos marrë pjesë në protesta. Edhe qyteti jugor i Daraa-së, epiqendër e manifestimeve, është akoma i rrethuar nga ushtria, pavarësisht nga deklaratat për largimin e saj. Por, në planin ndërkombëtar, regjimi izolohet gjithnjë e më tepër. Sot, ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian u mblodhën në Bruksel për të vendosur sanksione kundër eksponentëve të qeverisë së Bashar Al Asadit.







All the contents on this site are copyrighted ©.