2011-05-06 12:47:35

Shën Domeniko Savio


Shën Domeniko Savio lindi 2 prill 1842, vdiq më 9 mars 1857. Ende fëmijë vendosi të jetonte si i krishterë i vërtetë. Jeta e tij qe plot dashuri e bamirësi ndaj të afërmit. Themeloi Shoqërinë e Zojës së Papërlyer më 1856 e pak më vonë vdiq, duke lënë një shembull e kujtim të mirë të rinjve të krishterë. Ja disa të dhëna më të hollësishme mbi këtë figurë të jashtëzakonshme.
Domeniko Savio lindi në Rivë të Kierit, më 2 prill 1842. Ai lindi në një familje të krishterë katolike, nga një familje jo shumë e pasur materialisht, por të pasur shpirtërisht, me një kulturë të ngritur katolike. Ishte i biri i Kierit dhe Bergitës, babai punonte si nallban kurse nënën e kishte rrobaqepëse.
Domenik Savio kungimin e parë e mori kur ishte në moshën 7 vjeçare në vitin 1849, ishte një mrekulli në atë kohë që një fëmijë të kungohet në moshën 7 vjeçare sepse të tjerët e merrnin vetëm pasi i bënin 12 vjet. Por Domeniku ishte shumë i zgjuar, shumë i talentuar, shumë i mirë saqë kapelani i tij, don Gjoni nuk gaboi. Dominiku e tregoi mbrëmjen e takimit të tij të parë me Jezusin-Eukaristi.
Ishte në klasën e dytë kur Domeniku kungohej. Me vullnet të fortë dhe të vendosur shkroi, Kujtime dhe angazhime të Kungimit tim të parë: 1) Do të rrëfehem shpesh dhe do ta marr Kungimin sa herë që do të më lejojë rrëfyesi. 2) Dua t'i shenjtëroj ditët e festave. 3) Miqtë e mi do të jenë Jezusi dhe Maria. 4) Vdekjen, por jo mëkatin.
Domeniku gjatë kohës që ishte në shkollë në Mondoni,ishte një shembull. Mësuesi i tij ishte don Kaljeri. Në ditët e ftohta të dimrit shkolla ngrohej. Një ditë don Kaljeri vononte të vinte, kurse jashtë ishte duke rënë dëborë dhe nxënësit e shkollës ishin duke luajtur, mirëpo dy nga çapkënët e klasës pas pak minutash hynë me dy topa të mëdhenj dëbore dhe i futën në stufë. Menjëherë klasa filloi të mbushej me tym, filloi të shkrihet dëbora dhe në klasë filloi të rridhte ujë. Kur ja, erdhi don Kaljeri dhe sa hyri në klasë e pa ujin duke dalur nga stufa dhe duke tymosur klasën dhe don Kaljero pyeste me një nervozizëm kush e bëri këtë. Dy fajtorët shikonin të tmerruar njëri-tjetrin. Sikur dikush do t'i kishte treguar don Kaljeros që e kishin bërë ata don Kaljero menjëherë do t'i kishte përjashtuar nga shkolla, mirëpo shikoni çfarë vendosën të bënin ata. Vendosën t'ia lënë fajin dikujt tjetër, njëri prej atyre të dyve aq shumë kishte frikë dhe vendosi t'ia lërë fajin Domenikut dhe e drejtoi gishtin nga ai dhe nuk fliste asgjë. Domeniku nuk dinte asgjë se çfarë po bëhet, mirëpo filloi të pohonte se e bëri ai. Don Kaljero u shtang, fytyra e tij shprehte trishtim. Dhe e pyeti Domenikun:
- Domenik! Pikërisht ti! Kurrë nuk do ta kisha besuar!
Domeniku u ngrit me fytyrë të skuqur nga turpi. Hodhi sytë përreth. Si askush nuk po e mbronte? Megjithatë të gjithë e dinin se kush e kishte bërë, por ata ishin më të mëdhenjtë dhe i rrahnin kush tregonte. Mësuesi vazhdoi duke i thënë: " falendero Zotin se është gabimi yt i parë, përndryshe do të të kisha dëbuar nga shkolla"! Duke dalë prej klasës njëri nuk mund të duronte më. Nuk bëhet fjalë për paditje,bëhet fjalë për drejtësi. Kur të gjithë u larguan ai djali që më nuk mund të duronte iu afrua don Kaljerit dhe i tregoi çdo gjë. Meshtari sërisht mbeti i habitur dhe i tha atij, shko dhe ma thirr Domenikun këtu menjëherë. Mirëpo Domeniku kishte shkuar. Të nesërmen don Kaljero prej keqardhjes që kishte ndëshkuar një të pafajshëm i afrohet Domenikut dhe i thotë: "Përse nuk më the që nuk e kishe bërë ti"? Domeniku buzëqeshi: " nuk ka rëndësi. Mendova se ata të dy do të ishin larguar nga shkolla dhe unë nuk doja".
Njëra nga dëshirat e shumta të Domenikut ishte t'i vazhdonte studimet. Don Kaljero mendoi: "Do të shkoj tek don Boskoja". Sapo gjeti pak kohë të lirë u nis dhe shkoi në Torino. Don Boskoja sapo e pa, rendi drejt tij dhe u përshëndetën si e kanë zakon salezianët për miqtë, të afërmit:duke u përqafuar. Ishin shokë të vjetër të seminarit, shokë të ngushtë. Mirëpo duke biseduar me don Boskon, don Kaljero i tha kam ardhur të të bëj një dhuratë të mrekullueshme. "Çfarë dhurate"?- iu përgjigj don Bosko. Më kanë thënë që në oratorin tënd së bashku me çapkënët e tu pranon edhe ata që kanë shenja për t'u bërë meshtarë. Është nga Mondonio dhe quhet Domenik Savio. Nuk është i shëndetshëm, por përsa i përket mirësisë jam në gjendje të vë bast se nuk ke njohur kurrë një djalë si ai. Një shën Luigj i vërtetë! Don Bosko i tha se po e tepronte, por sidoqoftë mirë. Do të vijë në Kastelnuovo për festën e Zojës Rruzare. Kështu do të kem rastin të njihem me Domenikun tënd dhe të atin. Në Kastelnuovo, në fshatin ku kishte lindur don Bosko në oborrin e vogël para shtëpisë së vëllait të don boskos u takuan për herë të parë. Ishte 12 vjeç, më 2 tetor 1854. Mirëpo don Boskos i bëri shumë përshtypje ky takim. Ishte atë ditë e hëna e parë e tetorit, herët në mëngjes. Shikoj një djalë të shoqëruar nga i ati, që afrohet për të biseduar me mua: thotë don Bosko. Fytyra e tij e qeshur tërhoqi shikimin tim. Kush je i thashë, nga vjen? "Unë jam-u përgjigj, Domenik Savio që ju ka folur don Kaljero dhe vij nga Mondonia. Atëherë e thirra pranë vetes dhe filluam të bisedonim për shkollën që kishte bërë, për kushtet e jetesës, hymë në intimitet, ai me mua e unë me të.
Pas një arsyetimi paksa të zgjatur dallova tek ai i ri një shpirt krejtësisht sipas shpirtit të Zotit dhe mbeta i mrekulluar prej veprave që hiri hyjnor kishte bërë në të. Përpara se unë t'ia thirrja të atin më tha këto fjalë: "Mirë pra si ju dukem? A do të më merrni në Torino për të studiuar"? -Eh, më duket se ke stof të mirë? - "Për çfarë mund të shërbejë ky stof"?- Për të bërë një veshje të bukur që t'ia dhurojmë Zotit. "Pra, unë jam stofi dhe ju rrobaqepësi: më merrni me vete dhe bëni me mua një veshje të bukur për Zotin". Unë kam frikë se brishtësia jote nuk do të të lërë të studiosh. Kur don Boskoja e pyeti: "mbasi ti kryesh studimet e latinishtes, çfarë dëshiron të bëhesh"? Domeniku u përgjigj:- "Nëse Zoti do të më japë hir të mjaftueshëm, dëshiroj të bëhem me gjithë shpirt meshtar". Don Bosko duke e provuar çfarë aftësish kishte ia dha një libërth dhe ia dha një faqe për ta mësuar për nesër. Domeniku u largua pak dhe (ndësa don Bosko po bisedonte me të atin) u kthye pas 8 minutash duke i thënë: "nëse dëshironi po jua them që tani"! Mora librin dhe vura re se jo vetëm që e kishte mësuar, por e kuptonte mjaft mirë përmbajtjen e saj. I thashë: "meqë ti e mësove pjesën para afatit edhe unë po të përgjigjem para afatit. Do të marr në Torino, fillo t'i lutesh Zotit në mënyrë që të na ndihmojë të dyve për ta bërë vullnetin e tij të shenjtë". Mirëpo Domeniku ma kapi dorën ma shtrëngoi, ma puthi disa herë dhe më tha:
- "Shpresoj shumë që të mos ankoheni kurrë në sjelljen time". Don Boskos iu kujtuan fjalët e don Kaljeros dhe thoshte se ai kishte pasur të drejtë.
Për herë të parë Domeniku doli nga shtëpia kur ishte 12 vjeç, më 29 tetor 1954, puthi nënën e vet në dy faqet dhe u përshëndet me vëllezërit e vet, vendosi në supe trastën e rrobave të tij dhe duke ia shtrënguar dorën të atit mori rrugën për në Torino. Dhe kur arriti te oratori shikoi shumë djem duke qeshur, luajtur . Hyri brenda, u ngjit nëpër disa shkallë të vogla dhe trokiti në derën e zyrës së don Boskos. Hyri në zyrën e don Boskos së bashku me të atin . Domenikut i shkuan sytë në një letër që shkruante "Da mihi animas, coetera tolle" (Më jep shpirtra, të tjerat merri). Kur babai i Domenikut shkoi, Domeniku tha: "është hera e parë që jam larg babait dhe nënës, por nuk jam i trishtuar sepse jeni ju ai që keni për të më ndihmuar". Kur Domeniku e lexoi atë fjalë latinisht mendoi pak: "kam disa minuta që jam këtu dhe e kam të qartë se nuk bëhet fjalë për një tregëti parash, por shpirtërash. Shpresoj që shpirti im të bëjë pjesë në këtë tregëti shpirtërash". Don Bosko shkruante për të që nga dita që hyri. Ishte e vështirë që ndokush t'ia kalonte atij. Ishte i saktë në çdo gjë. Këtij djalosh të ri dhe të mrekullueshëm një ditë i erdhi një ide madhështore. Kishte edhe të tjerë që mendonin t'i bënin mirë të tjerëve si: Mikele Rua, Gjon Kaljero etj. Pse të mos mblidheshin të gjithë të rinjtë vullnetarë në një shoqëri për të punuar sëbashku, për të organizuar të mirën që secili bëntë në fushën e vet të veprimit. Edhe don Boskos iu duk e mirë kjo ide. Domeniku bëri një rregullore të vogël për shoqërinë e cila u quajt: "Shoqëria e së Papërlyerës". Shoqëria u themelua më 8 qershor 1856. Domeniku nuk e dinte se kishte realizuar kryeveprën e tij. Emri pastaj iu ndërrua në: "Miq të Domenik Savios". Rregullorja kishte 21 nene. Neni 21 përmblidhet gjithë shpirtin e shoqërisë dhe gjithë dashurinë bijësore të Domenikut ndaj Zojës. Një besim i sinqertë, bijësor dhe i pakufishëm ndaj Marisë, një butësi e veçantë ndaj saj. Përshpirtmëria e qendrueshme do të na bëjë të fortë ndaj çdo pengese, këmbëngulës në zgjidhje, të ashpër me vetveten, dashamirës me të afërmit tonë dhe të saktë në gjithçka.
Shkurti i vitit 1857 në Torino, ishte i acartë. Domenik Savio ishte tronditur nga një kollë i rëndë.Ai po bëhej gjithmonë e më i zbehtë. Don Dosko e kishte dërguar në familje për një periudhë të gjatë që të pushonte, por tani gjërat u bënë më serioze. Thirri mjekët më të mirë që ta vizitonin. Profesor Vaun pas një vizite të gjatë tha:
-Trupi i brishtë, pjekuria e parakohshme dhe tensioni i vazhdueshëm i shpirtit, janë si një limë që ia gërryejnë jetën.
Kur Domeniku mori vesh vendimin e mjekut, u dorëzua. Por i vinte keq të linte studimet, miqtë dhe veçanërisht don Boskon. Don Boskos për herë të parë iu desh gati ta qortonte: "A nuk e dëgjon se çfarë kolle ke dhe nuk arrijmë për ta ndaluar. Përse nuk shkon ti bësh pak shoqëri nënës dhe babait tënd"?
- Nuk bëhet fjalë për këtë don Bosko, unë dëshiroj të mbyll jetën time këtu në orator.
- Ti tani shko në shtëpi. Do të përmirësohesh dhe në pranverë pastaj do të kthehesh.
- Unë do të shkoj dhe nuk do të kthehem më. Don Bosko është hera e fundit që mund të flasim. Më thoni çfarë mund të bëj akoma për Zotin?
- Dhuroja shpesh vuajtjet e tua.
- Dhe çfarë tjetër?
- Dhuroja jetën tënde, Domenik.
- Nga parajsa mund ti shoh shokët e mi të oratorit dhe prindërit e mi.
- Po! -iu përgjigj don Bosko.
" Lutuni që ta kem një vdekje të mirë". Don Bosko mbeti duke shikuar karrocën që zhdukej. Domeniku e përshëndeste: "Mirupafshim në parajsë". Vdiq papritur në mbrëmjen e 9 marsit. Afër tij ishte i ati. Pati vetëm forcën që të pëshpëriste: "Lamtumirë baba..." famullitari më thoshte.... por unë nuk kujtoj... Oh sa gjëra të bukura po shoh. Kur figura e imët e Domenikut u shfaq në lavdinë e Shën Pjetrit në sheshin shumë të gjerë, të Beninit, kishte një diell verbues. Kishte mijëra të rinj të ardhur nga e gjithë bota, që duartrokisnin për shenjtin e parë si ata: shenjti i parë 15 vjeç.
Mrekullitë:
-Një komision i përbërë nga mjekët dhe teologët hulumtonin dhe pranonin si çudibërëse:
- Sabatino Albano, shtatëvjeçar, nga Sioni/Salerno u shërua me ndërmjetësinë e Domenik Savios, edhe pse kishte qënë në agoni që ishte shkaktuar nga forma e rëndë e hematoksisë dhe e nefnitisit. Mjeku kishte konstatuar se kishte vdekur.
- Maria Mangasi 16 vjeçare nga Barcelona, u shërua menjëherë nga fraktura e dyfishtë e bërrylit. Gjatë kohës se nëntëditëshit për Domenik Savion asaj i ishte enjtur dora, të cilën nuk e kishte në gips edhe pse e kishte thyer në dy pjesë.
- Mona Gianfereda, nëna e 6 djemëve, sa nuk kishte dhënë shpirt për shkak të gjakderdhjes së brendshme.
- Antonio Miglietta qe sëmurë nga një formë e rëndë e sinozitit. Para se t'i nënshtrohej operimit të veshit e luti Domenikun ta shëronte. Më 9 mars, me rastin e një vjetorit të vdekjes u shërua pa u bërë operacion.
Shën Domenik Savio
I shpallur i nderuar: 09.07.1933
I shpallur i lum : 05.03.1950 nga Piu XII
I shpallur shenjt: 12.06.1954 nga Piu XII

Nga 365 ditët : "Domeniko Savio, shenjt në moshën 15 vjeçare".
Sot, 24 qershor 1855, kremtohet festa e Shën Gjonit. Gjon Bosko ka ditën e emrit e në shkollën që ka themeluar meshtari, atmosfera është shumë gazmore.
Nxënësit kanë organizuar një festë për drejtorin, të cilin të gjithë e duan si ta kishin atë. Dom Bosko preket thellë e, për t’i falënderuar djemtë, u thotë: “Secili nga ju të shkruajë mbi një copë letër, një dëshirë. Ju premtoj se do të bëj çmos për t’ia plotësuar”.
Ç’kënaqësi! Të gjithë vrapojnë të gjejnë një copëz letre. Bie një heshtje varri! Pastaj dom Bosko mbledh fletët e shkon në studion e tij, për të lexuar dëshirat e nxënësve.
“Dua një çokollatë”.
“Ju lutem, më jepni një top”.
“Më ndihmoni, ju lutem, të bëhem shenjt!”.
Dom Boskos i vjen për të qeshur, kur e lexon këtë dëshirë. Vetëm njërit nga djemtë e tij mund t’i ketë lindur kjo ide: Domeniko Savios. Në moshën trembëdhjetë vjeç, i është ngulur në kokë, si gozhdë, të bëhet medoemos shenjt. I çuditshëm, ky djalë! E pikërisht për të arritur këtë qëllim, ka ardhur në shkollën e dom Boskos.
Dëshiron të formohet mirë, për t’u bërë, pastaj, meshtar e për t’i shërbyer Krishtit.
“Më ndihmo të bëhem shenjt!”
Dom Bosko e lexon e e rilexon këtë shprehje të veçantë. E i duket se Domeniko nuk ka edhe aq nevojë për ndihmën e tij. Është gjithnjë me humor të mirë. Gjithnjë plot kujdes për të gjithë. Punon rëndë e lutet me gjithë shpirt… “Në se Domeniko do të bëhet shenjt, kjo sigurisht nuk do të jetë merita ime” , thotë me vete dom Bosko.
Domeniko ka një shëndet tepër delikat. Vuan nga një sëmundje e tmerrshme: tuberkulozi. Por kjo nuk e pengon të themelojë, në vitin 1855, së bashku me disa miq, Shoqërinë e Zojës së Papërlyer. Shoqëria ka për qëllim t’u japë zemër atyre, që bëjnë vepra të mira, e të krijojë një atmosferë plot humor në shkollë. Domeniko vdes më 1857, në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare. Në vitin 1954, njëqind vjet më vonë, Kisha e shpall shenjt. Po ç’mrekulli bëri, për ta merituar nderimin më të lartë, atë të elterit? Gjatë jetës së tij të shkurtër, nuk pati kohë të bënte vepra të jashtëzakonshme. Por që i ri vendosi t’ia kushtojë gjithë jetën Zotit, duke filluar nga gjërat e vogla, që bënte ditë për ditë. E pikërisht kjo është shenjtëria. Me shembullin e tij, Domeniko u tregon të krishterëve se është plotësisht e mundur të bëhen shenjtorë ... madje shpejt e shpejt.







All the contents on this site are copyrighted ©.