Përkujtojmë don Lukë Matrëngën në përvjetorin e vdekjes
Si sot, më 6 maj të vitit 1619 u nda nga jeta prifti arbëresh don Lukë Matrënga (1560-1619)
në Horë (Fshat) të Arbëreshëve. Ai është personalitet i shquar i Kishës e kulturës
së vjetër arbëreshe. Don Lukë Matrënga u lind në Horë (Fshat) të Arbëreshëve në Sicili,
mbi Palermo, e pasi kreu studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Athanasit
në Romë, u kthye në Sicilinë e tij të lindjes, ku shërbeu si prift. Në vitin
1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë një katekizëm me titull "E mbesueme
e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë). Kjo vepër me 28 faqe që ka rëndësi shpirtërore
e katekistike për historikun e kishës arbëreshe, kjo vepër përfshin një vjershë me
tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar shqip, si dhe vetë katekizmin:
një doracak fetar për doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje. Përveç
përmbajtjes fetare doktrinore, kjo vepër është e rëndësishme edhe për dokumentimin
e të folmeve të vjetra të arbëreshëve të Sicilisë; ajo paraqet interes edhe për vjershën
në lutje të shkurtër botuar në atë vëllim, dokument i parë e botuar i vjershërimit
shqip. Duhet kujtuar se ‘Doktrina e krishterë’ është vepër e jezuitit Atë dr.
Ledesma, pra rregulltar jezuit dhe është përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe
nga don Lukë Matrënga. Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë
me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë
katekizmin, që është një udhëzim fetar për njohjen e doktrinës së krishterë e mësimet
kishtare në formën e pyetje -përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën kardinalit
Ludovico II de Torres, argjipeshkëv i Monreales, Matrënga shpjegon se përkthimi ishte
bërë për t'u përdorur nga besimtarët e krishterë arbëreshë që nuk e kuptonin variantin
italisht të katekizmit në qarkullim, duke theksuar se ai do t'u vlente "qindra familjeve
në Kalabri e në Pulje" me prejardhje shqiptare për përforcimin e fesë së tyre të krishterë. Ndonëse
e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të letërsisë së hershme shqiptare, vetëm
me 28 faqe, Doktrina e Krishterë e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare
jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë
nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në toskërishte. Të gjithë autorët e tjerë
të hershëm shqiptarë, don Gjon Buzuku, imzot Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe imzot Pjetër
Bogdani, kanë shkruar në dialektin e gegërishtes. Me sa duket, Matrënga në Sicilinë
e vendlindjes nuk do ta ketë njohur Mesharin e Buzukut të botuar tridhjeteshtatë vjet
më parë. Ai nuk u ndikua nga drejtshkrimi i këtij të fundit. U mjaftua me shkronjat
e alfabetit latin, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë veriorë në Ballkan përdornin
veç tyre edhe disa shkronja cirilike. Matrënga përdori ae për zanoren e pazëshme që
tani shkruhet ë, italishten sc(i) për sh dhe ishte i pari që përdori th për frikativen
dentale. Shqipja e tij16 ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, jo vetëm
sepse greqishtja ishte gjuha e kishës ortodokse, por edhe sepse pikërisht nga Greqia
kishin ikur arbëreshët e Sicilisë gjashtëdhjetë vjet më parë. Në atë eksod duhet të
kenë marrë pjesë gjyshërit e tij, në mos edhe prindërit. Ky shtresim nga leksiku i
greqishtes në dialektet arbëreshe ka ardhur duke u dobësuar ashtu si ka ndodhur me
leksikun turqisht në shqipen e Ballkanit, i cili pak nga pak ka dalë jashtë përdorimit.
Vepra e Matrëngës përmban një leksik të përgjithshëm prej 450 fjalësh. Vjersha
e parë që i takoi të botohet në gjuhën shqipe, përbëhet nga tetë vargje në njëmbëdhjetërrokësh
me rimë të këmbyer. Ajo përmban një mesazh të çmueshëm e prekës shpirtëror dhe një
ide prekëse e titullohet thjesht 'Canzona spirituale' – “Këngë e përshpirtshme”:
"Cghithaeue
u thaerés cux do ndaegliésae, Tae mirae tae chraextée bura e gràa, Mbae fiàaet
tae tinaezòt tae xichi méxae, Sé sixtae gnerij néx cciae mcà¡tae scàa, Elum
cux e cuiton sé càa tae vdésae, E mentae bà¡xcae mbae taenaezònae i càa, Sé
chrixti ndae parràisit i baen piésae, E baen paer bijr tae tij e paer vaelàa."
(Gjithëve
u thërres, kush do ndëljesë, Të mirë të krështee burra e graa, Mbë
fjalët të tinëzot të shihi meshë, Se s'ishtë njeri nesh që mkatë s'kaa; E
lum kush e kujton se kaa të vdesë, E mentë bashkë mbë tënëzonë i kaa; Se
Krishti ndë parrajsit i bën pjesë, E bën për bir të ti e për vëllaa.)