2011-05-06 18:33:08

Papa në koncertin, ofruar nga Napolitano: “I krishteri nuk beson në diçka, por në Dikë”.


Feja e krishterë nuk thotë “Besoj në diçka”, por “Unë besoj në Dikë”, në Hyjin, që u dëftua në Jezu Krishtin. Këtë pohoi Papa mbrëmë, në përfundim të koncertit, dhënë nga Presidenti i Republikës së Italisë, Napolitano, për nder të gjashtëvjetorit të papnisë së Benediktit XVI. Orkestra dhe Kori i Teatrit të Operas të Romës, drejtuar nga Mjeshtri Jesus López Cobois dhe Roberto Gabianni, ekzektuan “Besojmën” e Vivaldit dhe “Stabat Mater” të Rosinit.
Pikërisht kuptimin semantik e muzikor të titujve, shpjegoi Papa në përshëndetjen drejtuar artistëve, në përfundim të koncertit, duke theksuar se të dyja kompozimet janë meditim i thellë e prekës muzikor për Besojmën, për Misterin e vdekjes së Jezusit dhe për dhimbjen e thellë të Marisë.
Para se të fillonte koncerti, Presidenti Napolitano, duke përshëndetur Papën, foli për afërsinë ndërmjet Italisë e Vatikanit, theksuar edhe nga Ati i Shenjtë me rastin e 150-vjetorit të kremtimit të bashkimit kombëtar. Kujtoi, më pas, me emocion të thellë, pjesëmarrjen korale të italianëve në Lumnimin e Gjon Palit II. Në përfundim e falënderoi Atin e Shenjtë për qortimin drejtuar Evropës, duke i kujtuar parimet e mikëpritjes e të solidaritetit, në emër të paqes e të respektimit të të drejtave të njeriut, përballë tensioneve tronditëse në Afrikën Veriore e në Azi.









All the contents on this site are copyrighted ©.