2011-05-06 17:49:38

Në Shqipëri përfundoi fushata për zgjedhjet administrative


(06.05.2011 RV)Përfundoi në Shqipëri fushata për zgjedhjet administrative, që do të zhvillohen më 8 maj. Fushata u karakterizua nga incidente e polemika të shumta në të gjithë vendin. Më pak se katër muaj pas ngjarjeve të dhimbshme të janarit, që shkaktuan vdekjen e katër vetëve, së paku gjashtë kandidatë janë rrahur, ose kanë qenë në shënjestër të bombave në banesë, apo në makinë. Një nga këto plagosi njërin nga kandidatët e opozitës, jo më larg se dje.
Zgjedhjet do të kontrollohen nga mëse 400 vëzhgues. Natyrisht, gara më e fortë pritet në Tiranë, ku do të ndeshen ballë për ballë kryetari aktual i bashkisë, lideri i socialistëve, Edi Rama dhe ish-ministri i qeverisë së Berishës, Lulzim Basha, i cili ka kaluar nga Ministria e Punëve Publike në atë të Jashtme e në atë të Brendshme, nga ku dha dorëheqjen për t’u kandiduar.
Në një mesazh për kombin, presidenti i Republikës, Bamir Topi i fton shqiptarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, duke nënvizuar se suksesi i tyre do ta ndihmojë vendin në procesin e integrimit në Evropë.








All the contents on this site are copyrighted ©.