2011-05-06 18:32:41

Festa e Rojeve Zvicerane në Vatikan. Papa: të jeni të krishterë të vërtetë, protagonistë të jetës suaj.


Sot Roja Zvicerane Papnore kremtoi festën tradicionale, në përkujtim të flijimit të 147 ushtarëve të Trupës, të rënë gjatë ‘Plaçkitjes së Romës’, më 6 maj 1527, duke mbrojtur Papën Klementi VII nga sulmi i Lancikenekëve.RealAudioMP3
Në shërbimin, që i bën Papës e Kishës, Roja Zvicerane Papnore është edhe shkollë jete: kështu u shpreh Benedikti XVI në audiencën me anëtarët e Rojës, themeluar nga Papa Juli II, në vitin 1506. Ati i Shenjtë i priti sot në Sallën Klementine, së bashku me familjarët, me rastin e betimit të 34 alabardierëve, që u organizua pasdite në Oborrin e Shën Damasit të Pallatit Apostolik.

Benedikti XVI i përshëndeti të pranishmit në gjuhët zyrtare të Konfederatës helvetike: gjermanisht, italisht e frëngjisht, duke i falënderuar nga zemra Rojet Zvicerane për impenjimin e tyre në shërbim të jetës së përditshme e të manifestimeve shpirtërore në Vatikan si dhe për mirëpritjen e shtegtarëve, veprimtari që kërkojnë mirësjellje të veçantë e durim të madh. Papa rikujtoi ‘Plaçkitjen e Romës”, pesëqind vjet më parë, duke nënvizuar se kujtimi i kësaj ngjarjeje duhet të na nxisë të reflektojmë se ekziston kërcënimi i një plaçkitjeje edhe më të rrezikshme, asaj që mund ta quajmë shpirtërore:
"Im heutigen gesellschaftlichen Umfeld laufen nämlich viele junge Menschen...
Në rrethanat e sotme shoqërore, shumë të rinj rrezikohen të humbasin pasurinë shpirtërore, sepse rendin pas idealeve e perspektivave të një jete të cekët, që u plotëson vetëm nevojat e kërkesat materiale”.
Prej këndej, nxitja për t’i dhënë një kuptim sa më të plotë e sa më të thellë jetës, duke jetuar si të krishterë shembullorë, me frymën e vëllazërimit, që përkon me fenë:
“Lorsque certains de vous prêteront serment de remplir fidèlement le service…
Sot, kur disa nga ju do të betohen për ta kryer besnikërisht shërbimin e tyre në gjirin e Rojes Papnore Zvicerane, e të tjerët do ta përsërisin në zemra këtë betim, përfytyroni fytyrën e ndritshme të Krishtit, i cili ju bën thirrje të jeni njerëz të vërtetë e të krishterë të vërtetë, protagonistë të jetës suaj”.

Sot paradite, para audiencës papnore, kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i falënderoi publikisht Rojet Zvicerane për praninë e tyre në Vatikan, duke vënë theksin mbi natyrën krejtësisht të veçantë të shërbimit të tyre:
“Të jesh Roje Zvicerane, do të thotë t’i shërbesh pa asnjë rezervë Krishtit e Kishës, me gatishmërinë për të shkrirë çdo ditë jetën në kryerjen e këtij misioni”.
Që kur jam sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij – u tha kardinali Bertone Rojeve të Papës – kam rastin ta shikoj çdo ditë impenjimin tuaj në Pallatin Apostolik.
Në këto rrethana shpirtërore, del në pah karakteri tipik i shërbimit që i bën Papës Roja Zvicerane. Kjo nuk është mjeshtri, por mision, madje mund ta quajmë mision apostolik. Shërbimi i Rojes është apostullim. Kërkon jo vetëm kompetencë profesionale, por edhe fe të gjallë, që duhet jetuar çdo ditë, duke dhënë dëshmi të palëkundshme ungjillore.

Audienca tek Papa ishte prolog i ceremonisë sugjestive të betimit të 34 alabardierëve, që u kremtua pasdite, në orën 17.00, në Oborrin e Shën Damasit të Pallatit Apostolik. Ceremonia përkujton flijimin e 147 Rojeve Zvicerane, që derdhën gjakun për të mbrojtur Papën Klementi VII, më 6 maj 1527, kur mbi Romën kaluan si uragan, ushtritë e lancikenekëve, fjalë që ka kuptimin ‘shërbëtor i atdheut’. Ishin mercenarët, e rekrutuar në trojet gjermane nga perandori Karli V, shumica luteranë, që e urrenin Romën e që prandaj, kudo shkelën, lanë pas vdekje e shkatërrim, duke i dhënë fund edhe epokës së ndritur të Rilindjes evropiane.
Por edhe sot Rojet Zvicerane jetojnë çaste të vështira, kur njerëzit e kanë humbur besimin në autoritetet, kur kudo sundon individalizmi e egoizmi. E ajo që i dallon, është pikërisht betimi i tyre solemn për të mbrojtur vlerat universale si bindja, besnikëria, drejtësia.
Duke duke u betuar Rojet rikujtuan se nën kaskë, brenda koracës e në divizë, kanë frymën e vetmohimit, shpirtin, që dëshiron vetëm të shërbejë. Shkëlqimi i veshjes nuk flet për ta, si individë, por vë në dukje dinjitetin e Pasardhësit të Shën Pjetrit.

Pas Himneve kombëtare, të Vatikanit e të Zvicrës, arriti çasti më prekës, ai i betimit të rekrutëve të rinj:
“Ich / Hellebardier ... / schwöre / alles das...”
Secili nga alabardierët u betua në gjuhën amtare se do t’i shërbejë besnikërisht, sinqerisht e ndershmërisht Atit të Shenjtë, duke e mbrojtur, po të jetë nevoja, deri në pikën e fundit të gjakut. Pësëritën, kështu, moton e Rojes Zvicerane “Acriter et Fideliter”, “Nder e Besnikëri”. Binom, ky, që e ka dalluar ushtrinë vogël, që kur u krijua, më 1506, me dëshirën e Papës Juli II, e deri më sot, kur di të bashkërendojë frymën e traditës, me atë të kohëve moderne, në emër të Krishtit, në shërbim të Mëkëmbësit të tij mbi tokë!
Festa do të përfundojë me një koncert, në Oborrin e Nderit të Rojes Zvicerane, nesër, më 7 maj, në orën 12.30.







All the contents on this site are copyrighted ©.