2011-05-06 18:32:19

Atmosferë e hareshme në Venedik. Qyteti i lashtë pret Papën.


Benedikti XVI do të jetë për vizitë baritore dyditore në lindje të Italisë, nesër e pasnesër.
Së pari Papa do të ndalohet në Akuilea, seli e lashtë e patriarkatit, në provincën e Udines. Pas Akuilesë, do të vizitojë Venedikun e, së fundi, të dielën, do të jetë në Mestre, në parkun e Shën Julianit, ku do të kremtojë Meshën, takim solemn me Veri-Lindjen e Italisë, gjashtë vjet pas uljes në fronin e Shën Pjetrit. Por, cili është qëllimi kryesor i këtij shtegtimi baritor, në Verilindjen e pasur të Italisë, tokë që e mori Ungjillin nga predikimi i Shën Markut, vend, prej nga shumë njerëz largohen, në kërkim të punës në vise të tjera, për një mori arsyesh. Intervistuam kardinalin Anxhelo Skola, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Besoj se motoja, që zgjodhëm e që tingëllon kështu: “Ti përforcoje fenë tonë” (Lk. 22,32), i shpjegon fare mirë arsyet e vizitës së Papës në verilindje, nga Akuilea, në Venedik. Njeriu i sotëm ndjehet i pasigurt. Në zemrën e njeriut të të gjitha kohëve nuk mungon kurrë pyetja: “Kush, në fund të fundit, më siguron, se do të jetoj përtej vdekjes? Kush më dhuron një dashuri kaq të madhe, që më shtyn edhe mua të dua, duke gjetur, kështu kuptimin e plotë të jetës? Nuk mungon as përgjigjja: “Është feja, kjo dhuratë e madhe!”. E detyra e pasardhësit të Shën Pjetrit, siç ka thënë vetë Jezusi, është pikërisht të përforcojë vëllezërit në fe, t’i mësojë të mbështeten mbi shkëmbin e patundur të Krishtit, për ta përtërirë vetë jetën.
Elementin tjetër kryesor të vizitës, që përmblidhet te motoja, e thekson pikërisht fjala ‘Ti!”. Ne nuk iu drejtuam Papës në vetën e dytë shumës, po në njëjës, ‘ti’, ashtu si u drejtohemi njerëzve të afërt të familjes. E kjo, sepse e ndjejmë se ai është i pranishëm në çdo Kishë të veçantë. Na dhuron shikimin e tij, dëshminë e tij, shërbimin, e është pikërisht kjo, që do të ndikojë në përtëritjen shpirtërore të banorëve Verilindorë të Italisë. Në një kohë kur kemi vertet nevojë për një përtëritje të tillë.













All the contents on this site are copyrighted ©.