2011-05-05 13:09:37

Çelësi i fjalëve të Kishës: Hiri i Zotit


Kohët e fundit Kisha Katolike ka qenë pjesë e ngjarjeve të mëdha. Pashkët, por edhe lumnimi i Papës së dashur Gjon Pali II, bënë që besimtarët të përjetonin një hir të veçantë, që Zoti na e dhuroi në këtë periudhë. Por ç’do të thotë “hir”? Ç’është “hiri i Zotit”? Kjo është fjala që do të shpjegojmë sot.

Kur flitet për “hirin e Tënzot”, të shkon mendja në reflektimet e Shën Palit Apostull, në letrat e tij. Por, duhet thënë, se kjo temë e fesë duket që në faqet e para të Besëlidhjes së Vjetër, ku ekzaltohet bujaria e Hyjit, i cili, nga Qielli e ul vështrimin mbi Tokë, për t’i shpërblyer krijesat e veta, duke i bekuar, duke i falur e duke i shndërruar. Ky koncept, në gjuhën hebraishte, shprehet me fjalët “hen”, “hesed”, “’emet”, të cilat përmbledhin përmasat e dhuratës, favorit, mirësisë, besnikërisë. Shembull për këtë, është fraza me të cilën Zoti e përkufizon vetveten në malin Sinai: “Zoti, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë” (Dal 34,6).
Pavarësisht nga kufizimet e nga zemërngushtësia e popullit të vet, Zoti nuk e lë atë pa dashurinë, që jep hire e shpërblime: “Arsyeja që Zoti ju ka për zemër dhe ju ka zgjedhur, nuk është pse ju ua kaloni të gjithë popujve të tjerë për nga numri; jo, pasi ju jeni më të paktë se të gjithë popujt e tjerë, por sepse Zoti ju do” (Lp 7,7-8). Zoti e zgjodhi Izraelin, sepse deshi, pa menduar për ndonjë përfitim, duke e kthyer në shenjë të dashurisë hyjnore, e cila nuk varet nga meritat e njeriut. Nga kjo niset edhe Shën Pali në reflektimet e tij, ku përdor fjalën “cháris", ” cila përmendet 155 herë në Besëlidhjen e Re. Përveç kuptimit të falenderimit e të gëzimit (në greqisht “chará”), Shën Pali thellohet edhe në vlerën teologjike të kësaj fjale.
Të nisemi nga një fakt kurioz: nga greqishtja “cháris” rrjedh fjala “caritas”, që do të thotë dashuri për tjetrin, bamirësi. Vërtet, ashtu siç e mendonin edhe të krishterët e parë, që përdornin këto fjalë, hiri i Tënzot ushqehet nga dashuria, është hyrja e lirë dhe mirëbërëse e Zotit në natën e njeriut, të mbërthyer tepër në “mishin” e vet, pra në atë premisë të errët, që ndodhet brenda nesh e na shtyn drejt mëkatit. Zoti është i pari, që vjen në rrugën tonë e na kërkon, siç pohon vetë në një frazë të profetit Isaia (65,1), cituar me pasion nga Apostulli i Popujve: “Më gjetën ata që nuk më kërkuan, u jam dëftuar atyre që nuk më pyetnin” (Rm 10,20).
Pra, në fillim, është dashuria hyjnore ajo, që përpiqet ta thyejë vetminë tonë e të na largojë nga e keqja. Pikërisht ky akt është “hiri hyjnor”, pa të cilin, ne do të vazhdonim të zhyteshim në mëkat, duke u përpjekur më kot të dalim prej këtij bataku përmes respektimit të Ligjit, siç kërkonin hebrenjtë. Në të vërtetë, kemi nevojë për një dorë që të na ngrejë lart. Prandaj, fare qartë, shën Pali Apostull, në Letrën drejtuar Romakëve, shkruan: “…me hirin e Zotit, të gjithë e fituan falas drejtësinë, në sajë të shpërblimit që bëri Jezu Krishti” (3,24).
Feja nuk është tjetër, veçse pranimi i lirë e me gëzim i Hirit shëlbues, që na ofron Krishti. Është hapja e krahëve të shpirtit për ta lejuar Hyjin të na dhurojë dashurinë e Tij. Hiri hyjnor mbart edhe dhurata të tjera të veçanta e specifike për secilin prej nesh: janë “karizmat”, që siç mund të kuptohet edhe nga vetë termi, janë rrezatim i “cháris”, i hirit, që destinohet për të gjithë dhe është i barabartë për të gjithë, por që secilit i lë një shenjë, në varësi nga mënyra si e pranon hirin çdo person. Fjala “cháris” shpreh edhe falenderimin tonë për Zotin e hireve, siç thekson Shën Pali: “Kush do të më çlirojë nga ky trup, që i përket vdekjes? Lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë!” (Rm 7,24-25).







All the contents on this site are copyrighted ©.