2011-05-05 14:50:35

Papa, Komisionit Biblik: nuk mund të kuptohet Shkrimi Shenjt, nëse harrohet frymëzimi hyjnor i tij


Shkrimet e Shenjta nuk mund të kuptohen, nëse harrojmë se ato janë frymëzuar nga Zoti: ky ishte thelbi i mesazhit të Papës për asamblenë e përgjithshme të Komisionit Papnor Biblik, kryesuar nga kardinali Uiliam J. Levada. Punimet e asamblesë vazhdojnë në Vatikan, me temën “Frymëzimi dhe e vërteta e Biblës”.
Benedikti XVI thekson edhe një herë atë që ka shkruar në Këshillimin Apostolik “Verbum Domini”. “Interpretimi i Shkrimeve të Shenjta, duke harruar ose duke lënë mënjanë se nga janë frymëzuar, nuk merr parasysh karakteristikën e tyre më të rëndësishme e më të çmuar”, që është “prejardhja nga Zoti”. Pavarësisht se fjalët e njeriut mund të jenë me bukuri e thellësi të jashtëzakonshme, në Shkrimin e Shenjtë, ato pasqyrojnë Fjalën e Zotit.
Hyji, shpjegon Papa, na e drejton fjalën për të zbuluar vetveten e për të na e bërë të njohur misterin e vullnetit të Tij, si edhe planin e shëlbimit për mbarë njerëzimin. Prandaj, impenjimi për të zbuluar gjithnjë e më shumë të vërtetën e Librave të Shenjtë duhet të na çojë natyrshëm në njohjen gjithnjë e më të madhe të Zotit e të vullnetit të Tij.
Benedikti XVI u tërheq vëmendjen atyre teologëve, që kërkojnë mekanikisht të vërtetën absolute, ose thellohen më kot në një frazë, apo shprehje, të shkëputur nga konteksti. Kuptimi i drejtë i Shkrimit Shenjt, vazhdon Papa, kalon përmes “unitetit të historisë së Zotit”, në të cilën elementet e veçanta sqarojnë e hedhin dritë mbi njëri-tjetrin, duke ia hapur kështu rrugën kuptimit të krejt tekstit.
Së fundi, Benedikti XVI shprehu vlerësimin e tij të lartë për punën e Komisionit Papnor Biblik në nxitjen e njohjes, të studimit e të pranimit të Fjalës së Zotit në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.