2011-05-05 16:47:47

Obama nuk lejon publikimin e fotografive të trupit të Bin Ladenit


Presidenti amerikan Barak Obama shkoi sot pasdite në Ground Zero të Nju Jorkut, ku u takua me një grup viktimash të atentateve të 11 shtatorit 2001. Vizita e tij, gjatë së cilës Obama vendosi edhe një kurorë lulesh në kujtim të të vrarëve, u bë menjëherë pas vendimit të Shtëpisë së Bardhë për të mos i bërë publike fotografitë e trupit të Osama Bin Ladenit, vrarë në Pakistan nga forcat speciale amerikane. Lajmi nuk i pëlqeu aspak Komisariatit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, që kërkoi botimin e tyre dhe të të gjitha lajmeve mbi vrasjen e liderit të Al Kaedës:
“There’s no doubt that we killed Osama Bin Laden…”
“Nuk ka asnjë dyshim se ne e kemi vrarë Osama Bin Ladenin”, tha presidenti amerikan në një intervistë për CBS(SiBiEs). Por, Obama sqaroi se nuk ka asnjë dëshirë t’i tregojë fotografitë e kësaj vrasjeje sikur të ishin “trofe”. Kështu pra, Shtëpia e Bardhë vendosi sipas direktivave të kujdesshme të sekretares së shtetit, Hilari Klinton dhe të sekretarit për Mbrojtjen, Robert Gejts, të shqetësuar për reagimin e botës arabe.
Ndërkaq, sulmi që çoi në vrasjen e liderit të Al Kaedës vazhdon të krijojë probleme në marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit e Islamabadit. Pakistanezët akuzohen se nuk bashkëpunojnë si duhet në luftën kundër Al Kaedës, ndërsa amerikanët se më parë e kanë kapur e pastaj e kanë vrarë me gjakftohtësi Bin Ladenin, siç dëshmoi vajza e tij 12-vjeçare, e përgënjeshtruar nga CIA.







All the contents on this site are copyrighted ©.