Mision përmes veprave bamirëse: Benedikti XVI falenderon “Papal Foundation”
Kisha është misionare për natyrën e vet: kështu u tha sot paradite Benedikti XVI anëtarëve
të “Papal Foundation” (Fondacioni Papnor), shoqatë bamirëse amerikane, themeluar në
vitin 1990 nga kardinali Xhon Krol. Fondacioni mbështet dioqezat në vështirësi, sidomos
në vende të goditura nga varfëria, lufta e fatkeqësitë natyrore. Papa e vlerësoi
punën e Fondacionit si një kontribut të rëndësishëm për misionin e Kishës përmes veprave
të bamirësisë, duke nënvizuar se projektet e tij kanë për qëllim zhvillimin e përgjithshëm
të njeriut. Pra, jo vetëm ndihma ekonomike, por edhe inkurajimi i aktiviteteve apostolike
në dioqeza e në kongregatat fetare në botë. Fondacioni i kushton kujdes të veçantë
formimit të krerëve të ardhshëm të Kishës dhe mbështet veprimtarinë e Selisë së Shenjtë: “Në
këtë mënyrë, ju dëshmoni se Kisha është misionare për natyrën e saj. Fondacioni lindi
si mjet për t’i treguar solidaritet praktik pasardhësit të Shën Pjetrit në kujdesin
e tij për Kishën universale”. E më pas, Papa uroi: “E jetofshi këtë impenjim
ndaj idealeve të Fondacionit si shprehje të privilegjuar të impenjimit tuaj si të
krishterë në Kishë e më përpara akoma, në botë”. Në përfundim të audiencës,
Benedikti XVI kujtoi fjalët e Këshillimit Apostolik postsinodal “Verbum Domini”: “Është përgjegjësia jonë ta përçojmë atë që kemi marrë, në sajë të hirit të Tënzot”.