2011-05-05 16:47:59

Grupi i Kontaktit mbi Libinë mblidhet në Romë: Gedafi të largohet


Sot në Romë, u zhvillua mbledhja e dytë e Grupit të Kontaktit për Libinë. Punimet e organizmit të themeluar në Londër, më 29 marsin e këtij viti, përfshijnë rreth 80 vende e organizata ndërkombëtare, me objektivin e gjetjes së zgjidhjes diplomatike për krizën libiane. Selia e Shenjtë mori pjesë me një delegacion të kryesuar nga sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì.
U theksua se është e nevojshme që gjithnjë e më tepër vende të njohin Këshillin e Përkohshëm Kombëtar, organ qeverisës i kryengritësve. Ministri i jashtëm italian, Franko Fratini lajmëroi se do të krijohet një fond i veçantë për mbështetjen e opozitorëve të Muhamar Gedafit. Në konferencën për shtyp, sekretarja e shtetit amerikan, Hilari Klinton theksoi se qëllimi i Grupit të Kontaktit është rritja e presionit mbi kolonelin libian, që ai t’i japë fund dhunës mbi civilët e të sigurojë të ardhmen demokratike të Libisë. “Gedafi duhet të largohet” – theksoi Klinton.
Përsa i përket marrëveshjes së djeshme palestineze Hamas-Fatah, krerët italianë dhe amerikanë të politikës së jashtme i kërkuan Hamasit të pranojë parimet e vendosura nga kuarteti për Lindjen e Mesme. U fol edhe për Sirinë, duke nxitur autoritetet e Damaskut të ndalin dhunën kundër manifestuesve, që kërkojnë më tepër demokraci.







All the contents on this site are copyrighted ©.