2011-05-04 15:43:33

Ambasadori OSBE Wollfarth: Në Shqipëri 8 maji duhet të jetë ditë e qetë


Në kuadër të përgatitjeve të fundit për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri, ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Wollfarth, zhvilloi sot një takim me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bujar Nishani. Duke theksuar se forcat e policisë janë trajnuar për zgjedhjet dhe duhet të jenë në shërbim të qytetarëve në 8 maj, Wollfarth u bëri thirrje edhe votuesve që në këtë ditë të kontribuojnë në mënyrë paqësore, duke e parë atë si një ditë festive dhe të qetë.
Të dielën e ardhshme më 8 maj në votimet lokale do të jenë në gatishmëri rreth 6500 forca policore në të gjithë territorin e Shqipërisë. Incidentet e deritanishme në fushatën elektorale, aktet e dhunës, shpërthimet me lëndë eksplozive, dëmtimet e zyrave elektorale të kandidatëve, deklaratat e nxehta mes subjekteve politike etj, kanë krijuar një lloj klime tensioni, kur duhen dhe pak ditë nga votimet.
Për ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bujar Nishani, detyra e policisë së shtetit është që të parandalohet, ose të trajtohet në përkim me ligj çdo akt, që do të cenojë normalitetin e procesit zgjedhor. Misioni kryesor i policisë së shtetit është "krijimi i një klime sa më të qetë dhe të sigurt për qytetarët, që ata të shprehin lirshëm të drejtën e votës më 8 maj".
Sipas tij dy dokumentet e rëndësishme, që orientojnë dhe garantojnë standardet, si ato të vendeve të BE së, janë ligji për funksionet e policisë së shtetit dhe kodit elektoral në pjesët, që përcakton të drejtat dhe detyrat e saj në të gjithë procesin. Aktive në mbështetjen e policisë së shtetit është zyra e OSBE në Shqipëri, që mori pjesë në fushatën e trajnimit me punonjësit e policisë.
Në fillim të javës shefi i zyrës, ambasadori Eugen Wolfrath, i ka vlerësuar maksimalisht përgatitjet, që ka bërë policia shqiptare për zgjedhjet, siç ka deklaruar ai "e përgatitur siç duhet dhe plotësisht e ndërgjegjshme për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe akçes të lirë në mbështetje të qytetarëve". Ambasadori Wolfarth konfirmoi projektin mbështetës të policisë në ditën e zgjedhjeve, ku OSBE ja do t'i akordojë një sasi telefonash satelitorë për të mbuluar komunikimin mes njësive policore në zonat më të thella rurale të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.