Akoma dyshime mbi dinamikën e vrasjes së Bin Ladenit. E bija deklaron:më parë është
kapur, pastaj e vranë
Pas vdekjes së Osama Bin Ladenit, vrarë nga trupat amerikane në Abottabad të Pakistanit,
shtohen dyshimet mbi mënyrën e veprimit të forcave speciale. Të martën mbrëma,
Shtëpia e Bardhë pranoi se lideri i Al Kaedës nuk ishte i armatosur e nuk u fsheh
pas ndokujt. Sot paradite, e bija e Bin Ladenit tregoi për televizionin Al-Arabiya
se i ati është kapur e pastaj është vrarë para familjarëve, të cilët aktualisht ndodhen
në spitalin ushtarak të Raualpindit. Kreu i CIA-s shpjegoi se Osama Bin Ladeni do
të ishte akoma gjallë nëse do të ishte dorëzuar, duke ngritur duart lart, por ushtarët
e “Seals Team Six” (trupa speciale të marinsave amerikanë) e panë të bënte lëvizje
të dyshimta, prandaj qëlluan. Shtëpia e Bardhë ndoshta do të publikojë fotografitë
e trupit të liderit të terrorit, që të mos mbeten dyshime për vdekjen e tij. Ndërkaq,
talebanët afganë kanë krijuar një “njësit të veçantë” hakmarrjeje. Dikush e sheh këtë
si konfirmim jo të drejtpërdrejtë të vrasjes së liderit të Al Kaedës. Nga ana e saj,
organizata terroriste duhet të zgjedhë kreun e ri. Ka shumë mundësi të jetë mjeku
egjiptian Ajman al-Zauahiri, por kushdo qoftë do të bëhet menjëherë armiku n.1 i SHBA-ve.
Kreu i CIA-s, Panetta foli qartë për këtë. E ndërsa Pakistani kërkon ndihmë nga
bashkësia ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit, siç theksoi sot në Paris, kryeministri
Jusuf Gilani, amerikanët punojnë mbi dokumentet e mbi kompiuterët e gjetur në vilën
e Osama Bin Ladenit. Se ç’mund të dalë nga kjo analizë, na e shpjegon gazetari
italian, Paolo Mastrolili, që merret prej kohësh me politikën ndërkombëtare:
Ekspertët
e sigurimit amerikan, në thelb, duan dy gjëra. Së pari, të kuptojnë nëse ka sinjale
për atentate të reja të Al Kaedës dhe, së dyti, nëse ka elemente për të gjetur krerët
e tjerë të organizatës, që nuk janë zbuluar akoma. Ka edhe një element të tretë: të
kuptojnë nëse terroristët kanë mundësi të veçanta, që nuk janë zbuluar, ose nëse zotërojnë
armë kimike apo armë të tjera, që sipas informacionit të deritanishëm, Al Kaeda nuk
i ka. I favorshëm është edhe fakti se anëtarët e Al Kaedës nuk dinë se ç’kanë në dorë
amerikanët, prandaj nuk jetojnë më të sigurtë.
Administrata amerikane
po mendon të hyjë në bisedime me talebanët. Sipas jush, ky është një element pozitiv?
Për
momentin, ekzistojnë dy shkolla mendimi. Njëra shpreson që nga ky aksion kundër Bin
Ladenit të favorizohet ulja në tryezën e bisedimeve me talebanët. Përpjekje për këtë
po bëhen prej kohësh, edhe me ndihmën e krerëve fisnorë afganë. Shkolla tjetër ka
opinion krejtësisht të kundërt e mendon se talebanët do të reagojnë me një sërë atentatesh,
duke refuzuar çdo mundësi paqeje, që do t’u lejonte amerikanëve të largoheshin nga
Afganistani.
Si mund të ndryshojnë marrëdhëniet me botën islamike,
pas kësaj ngjarjeje?
Bota islamike në përgjithësi dukej sikur e kishte
braktisur Al Kaedën dhe Bin Ladenin. Gjatë pranverës arabe, që nga Egjipti e tek vendet
e tjera, protestuesit nuk dolën në sheshe në emër të Al Kaedës. Tani, duhet pasur
kujdes që operacioni i vrasjes së liderit të terrorit të mos shkaktojë reagime negative
nga ana e botës arabe e myslimane për mënyrën e trajtimit të trupit të Osama Bin Ladenit.