2011-05-03 16:08:18

Motoja e Gjon Palit II: Totus tuus - Jam tërësisht yti!


Maji 2011, muaj kushtuar Zojës së Bekuar, nisi nën shenjën e një premtimi: “Totus Tuus”.RealAudioMP3
“Jam krejt yti, të përkas, o Zojë” përsëritëm moton e Gjon Palit II, që u lartua në nderimet e elterit në një të Diele, e cila bashkonte në një, devocionin e tij për Mëshirën Hyjnore, me atë për Nënën e Krishtit.
Ta përsërismin çdo ditë të këtij muaji, me Misteret e Dritës të Gjon Palit II, duke ia kushtuar përsëri vetveten Zojës së Bekuar:

Totus tuus! Më merr për dore, si more Gjon Palin II, atje ku rrjedhin ujërat e Jordanit të lashtë, që panë Pagëzimin e Birit tënd hyjnor. Ma nxir nga Zoti hirin të shoh si hapet qielli, si zbret Shpirti Shenjt e si pushon mbi tënd Bir. Ndihmomë ta dëgjoj zërin e Atit, që më kujton: “Ky është Biri im i dashur. Ndiqe!".

Totus tuus! Më merr me vete në Dasmën e Kanës së Galilesë, si mysafir i paftuar, e ndërmjetëso tek yt Bir, që uji i turbull i zemrës sime, i mendimeve të mia, i ndjenjave të mia, të shndërrohet në verë hyjnore, në Gjakun e Krishtit. Më mëso t’i përgjigjem ftesës sate. “Bëj gjithçka të thotë Ai”, duke e pirë me fund kelkun e shëlbimit, trashëgimi më i bukur i Zotit.

Totus tuus! Më nis nëpër shtigjet e pafundme të botës, deri në skajet më të harruara. Më mëso të ec mbi gjurmët e Birit tënd, për t’ia predikuar mbarë botës Ungjillin e për t’i kujtuar se ka ardhur koha të kthehet me gjithë zemër e t’i besojë Lajmit të mirë.

Totus tuus! Më prij kah Mali i Lumturive e premto ta shoh edhe unë Krishtin e shndërruar, që edhe fytyra ime të shndrisë, një ditë, si dielli, e trupi im, si drita.

Totus tuus! Më fto në Darkën e Mbrame të Birit Tënd e bëj të jem e pranishme në çastin sublim, kur thyen bukën e ma jep, duke më thënë: “Merre, ky është korpi im!”. E në çastin kur larton kelkun e më thotë: “Është gjaku im, gjaku i besëlidhjes, që do të derdhet edhe për ty”.

Totus tuus! Ma mbush edhe këtë maj me aromën e trëndafilave, aromë e hirit hyjnor. Me frymën e Ringjalljes së Krishtit, që është kryevepra e Krijuesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.