2011-05-03 16:07:30

I Lumi Gjon Pali II ndodhet që dje në kapelën e Shën Sebastianit në Bazilikën e Shën Pjetrit


Që nga ora 7.00 e mëngjesit të sotëm, besimtarët mund të shkojnë në varrin e ri të të Lumit Gjon Pali II, arkivoli i të cilit u vendos mbrëmë në elterin e Kapelës së Shën Sebastianit në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Në një notë për shtypin, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi përshkruan hap pas hapi këtë zhvendosje nga kripta e Bazilikës, në të cilën morën pjesë nëntë kardinaj, disa ipeshkvij e kryeipeshkvij, postulatori i çështjes së lumnimit, imzot Oder, motër Tobiana, shëruar nga parkinsoni përmes ndërhyrjes së Gjon Palit II, së bashku me disa murgesha të tjera, që shërbejnë në apartamentin papnor. Siç shpjegon atë Lombardi, në fillim procesioni i kryesuar nga Kryeprifti i Bazilikës vatikanase, kardinal Angjelo Komastri u ndal në lutje para kamares “Rrëfimi i Shën Pjetrit” e pastaj, duke kënduar litanitë e Papëve Shenjtorë, mbërriti në elterin e Shën Sebastianit, ku ishte vendosur që më parë arka e drunjtë me trupin e Gjon Palit II. Në përfundim të litanive, pasi u këndua tri herë “Beatus Ioannes Paulus”, u tha lutja e të Lumit të ri. Më pas, punëtorët e Fabrikës së Shën Pjetrit vendosën pllakën me mermer të bardhë, ku është shkruar “Beatus Ioannes Paulus PP. II”(i Lumi Gjon Pali II, papë). Ceremonia përfundoi në orën 19.45. Të pranishmit nuk u larguan pa e prekur edhe një herë rrasën e mermertë me dorë, ose me buzë, gjest që, jemi të sigurtë, do të përsëritet shpesh në vizitat e besimtarëve te i Lumi i ri. E kujtojmë sërish Gjon Palin II me fjalët, që tha dje, kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit, kardinali Angjelo Komastri:RealAudioMP3
“Falenderojmë Krishtin, Zotin tonë, që i dha Kishës një bari të shenjtë, model i vërtetë për grigjën e besimtarëve. U lutemi të gjithë shenjtorëve të qiellit e në veçanti, papëve shenjtorë, të ndërhyjnë pranë Zotit që edhe ne të ecim në rrugën e shenjtërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.