2011-05-02 16:33:05

Vritet Bin Ladeni. Bota gëzon, Kisha Katolike
kujton përgjegjësitë


Osama Bin Laden, kreu i terrorizmit botëror nuk jeton më. Lajmin e dha Presidenti i SHBA-se Obama. Gjatë natës së djeshme, me orën evropiane, trupat amerikane e vranë me një plumb në kokë në periferinë e Islamabadit. Bashkë me të është vrarë edhe njëri nga bijtë.
Talebanët pakistanezë paralajmëruan se do të hakmerren me sulme kundër Pakistanit dhe SHBA-ve. E sot, një atentat ka shkaktuar katër të vdekur e dhjetë të plagosur në një xhami të Çarsadës, në Peshauar.
Ndërsa kancelaritë botërore përgëzojnë presidentin Barak Obama për këtë fitore e amerikanët shprehin gëzimin e tyre nëpër sheshe, Kisha Katolike, sidomos ajo vendore, tërheq vëmendjen mbi pasojat, që mund të ketë një akt i tillë kundër të krishterëve e kujton përgjegjësitë e të gjithëve në vendosjen e paqes. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi komentoi:
Osama Bin Laden – siç e dimë të gjithë – pati përgjegjësi të rëndë në përhapjen e përçarjes e të urrejtjes ndërmjet popujve, duke shkaktuar vdekjen e shumë të pafajshmëve e duke përdorur edhe fetë për këtë qëllim.
Para vdekjes së një njeriu, i krishteri nuk gëzohet kurrë, por reflekton mbi përgjegjësitë e rënda të secilit para Zotit e para njerëzve dhe, shpreson e impenjohet që kjo ngjarje të mos i shërbejë thellimit të mëtejshëm të urrejtjes, por arritjes së paqes”.
Kryeipeshkvi i Islamabadit, imzot Entoni Rafin (Anthony Rufin) u kujton të krishterëve “dashurinë për armiqtë”, që predikon Ungjilli dhe u jep shembullin e Papës së lum Gjon Pali II. Ndërkaq, ish-kryeipeshkvi i Lahores në Pakistan dhe ipeshkvijtë indianë paralajmërojnë se vdekja e Osama Bin Ladenit mund të ketë pasoja për të krishterët e zonës e mund të rrisë sulmet e talebanëve kundër tyre, pavarësisht se pas një kohe relativisht të gjatë, mund të shërbejë për ta dobësuar radikalizmin islamik.
Atë që nuk arriti ta bënte presidenti amerikan Bush gjatë viteve të luftës kundër terrorizmit, e realizoi Barak Obama, pikërisht në prag të një fushate zgjedhore të rëndësishme, të cilën do ta përballojë me një armë më shumë. Kapja dhe vdekja e Osama Bin Ladenit, i shpallur si rreziku numër një për të gjithë botën, është sigurisht një ngjarje mediatike me përmasa të jashtëzakonshme, por shpejtësia me të cilën trupi pa jetë u hodh në det, për të mos u dhënë ndjekësve të tij një varr për ta nderuar, fakti i kapjes së liderit të terrorit në Pakistan, aty ku gjithnjë është menduar se ndodhej, ngrenë shumë pikëpyetje.
Al-Kaeda nuk ka qenë asnjëherë organizatë hierarkike, pasi ka shumë komandantë, prandaj Bin Ladeni ishte më tepër një simbol, se sa një kryetar i vërtetë. Eliminimi i tij fizik mund të mos jetë goditja përfundimtare kundër terrorizmit, siç shpresojnë amerikanët, të cilët po festojnë që nga nata e djeshme.
Pas sulmit në Nju Jork dhe në Uashington, më 11 shtatorin e vitit 2001, Al-Kaeda u zhvillua në mijëra degë të ndryshme, duke u aktivizuar sidomos në Afrikën e Veriut e në Lindjen e Mesme e duke ua besuar atentatet vetëvrasëse, si ato të Madridit e të Londrës, grupeve të vogla me njerëz të ekzaltuar.
Edhe vetë presidenti i SHBA-ve, duke thënë se “drejtësia u vendos”, nuk harroi të theksonte se lufta kundër terrorizmit islamik mund të jetë e gjatë. Por ta dëgjojmë:
“Sonte mund ta njoftoj popullin amerikan dhe botën, se SHBA-të udhëhoqën një operacion me të cilin vranë Osama Bin Ladenin, kreun e Al Kaedës e terroristin përgjegjës për vrasjen e mijëra vetëve: burra, gra e fëmijë të pafajshëm…
Unë e kam bërë të qartë, ashtu si presidenti Bush pas 11 shtatorit, se lufta jonë nuk është kundër islamizmit, sepse bin-Ladeni nuk ishte udhëheqës mysliman. Ai ishte vrasës i myslimanëve. Al-Kaida ka vrarë qindra myslimanë në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.
Obama i paralajmëroi amerikanët se lufta kundër terrorizmit nuk ka përfunduar. Më optimist Piter Bergen, gazetari që intervistoi Osama Bin Ladenin për rrjetin televiziv CNN në vitin 1997 e që ka shkruar një sërë librash mbi rrjetin e terrorit. Ai pyet: “A do të arrijë vërtet Bin Ladeni të bëhet martiri, që dëshironte të ishte? Vrasja e tij është fundi i luftës kundër terrorit. Askush s’mund ta zëvendësojë brenda Al-Kaedës”.
Vrasja e Osama Bin Ladenit u arrit 3.519 ditë pas atentateve të 11 shtatorit 2001. Interpoli paralajmëroi menjëherë për rritjen e rrezikut terrorist pas kësaj vrasjeje. Cili mund të jetë skenari i ardhshëm botëror? Pyetëm eksperten italiane të terrorizmit ndërkombëtar, Loreta Napoleoni:
Mendoj se është shumë e vështirë të parashikohet me saktësi reagimi i ndjekësve të Bin Ladenit. Unë nuk do të flisja për botë islamike e aq më pak myslimane, sepse përkatësia fetare nuk ka të bëjë aspak me terrorizmin. Sigurisht, Bin Ladeni ishte një lloj ikone për një grup njerëzish në botë, shumë radikalë, që shihnin në të simbolin e asaj lufte kundër imperializmit amerikan, që quhet “fondamentalizëm islamik”. Është e vështirë të parashikohet reagimi. Natyrisht, të gjitha shërbimet sekrete janë në alarm: ekziston frika që ndokush të organizojë ndonjë sulm për t’u hakmarrë. Gjithsesi, është shumë e vështirë të organizohet një atentat me përmasat e 11 shtatorit, ose si ai i stacionit të Atoçës në Madrid, apo si ai në Angli. Edhe antiterrorizmi ka bërë shumë hapa përpara e rrjeti me në qendër Osama Bin Ladenin është dobësuar gjithnjë e më tepër pas 11 shtatorit. Nga ana tjetër, kemi edhe një element shumë të rëndësishëm. Të rinjtë e botës myslimane, sot për sot, janë përqendruar mbi ç’po ndodh në Afrikën e Veriut e në Lindjen e Mesme, mbi atë, që shumë gazetarë e kanë quajtur “pranvera arabe”. Pra, ekziston një alternativë demokratike në vend të veprimtarisë terroriste të tipit të Al Kaedës.







All the contents on this site are copyrighted ©.