2011-05-02 15:44:34

Turmë e madhe në Meshën e falënderimit për Papën Vojtila. Kardinali Bertone: dëshironte të mirën për çdo njeri.


Dhjetra-mijëra njerëz u rikthyen sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, për të marrë pjesë në meshën e falënderimit për Lumturimin e Gjon Palit II. I kryesuar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, kremtimi u hap me një përshëndetje të kryeipeshkvit të Krakovisë, kardinalit Stanislao Dxhivish, që e quajti Papën e Lumtur, “Apostull i madh i Mëshirës Hyjnore”, së bashku me Shën Faustinën Kovalska.
Dëshmitar, Bari, Papë, Shenjt! Katër epitete, si katër faqe të një prizmi, përmes të cilave vezulloi mirënjohja e Kishës për Lumturimin e Gjon Palit II. Përballë turmës së një dite më pas, të lodhur, por të lumtur, sepse përsëri e pranishme në këtë çast lutjeje korale, kardinali Tarçizio Bertone e bëri të shkëlqente përsëri para syve të mijëra njerëzve, diamantin e meritave e të virtyteve të të Lumturit të Ri. Njeri, tha kardinali Bertone, që jetonte me Zotin e në Zotin, që i priu besimtarëve në kapërcellin ndërmjet dy mijëvjeçarëve, me busolën e Ungjillit, Librit ëmbëlsisht të mbyllur nga një frymë misterioze, mbi trupin e tij, nën kapakun e një arkivoli që, gjashtë vjet më pas, kthehet në relike, duke u kujtuar të gjithëve fillimin e jetës, pas mbarimit të saj:
U duk sikur era e Shpirtit Shenjt deshi të shënonte fundin e aventurës njerëzore e shpirtërore të Karol Vojtilës, tërësisht të ndriçuar nga drita e Ungjillit të Krishtit. Nga ky Libër, ai zbulonte planet e Zotit për njerëzimin, për vetveten, por sidomos, mësonte Krishtin, fytyrën e tij, dashurinë e tij, që për Karol Vojtilën qe gjithnjë thirrje për ta mbartur deri në fund përgjegjësinë”.
“Lumturimi i tij është dhuratë tepër e madhe, gjë që e vështirëson edhe më shumë përpjekjen për shprehur atë, që ndjen Kisha mbarë”, kishte pohuar në fillim të kremtimit kardinali Dxhivish. Sekretari personal i Papës Vojtila nënvizoi se mesha, kremtuar sot paradite, duke ndjekur liturgjinë, që do të përdoret çdo vit më 22 tetor, përuroi, në një farë mënyre, kultin publik të Gjon Palit II. Falënderoi, pastaj, Italinë, që u bë Atdhe i dytë, i shumëdashur, për Papën Polak, e më pas, edhe për Papën gjerman. Falënderoi edhe të gjithë italianët, të cilët këto ditë e dëshmuan me vepra sa e deshën Gjon Palin II, që mbeti gjithnjë i gjallë në zemrën e në kujtesën e tyre:
“I jemi mirënjohës Atit të Shenjtë për vendimin e hapjes së procesit të Lumturimit e të Shenjtërimit të Shërbëtorit të Zotit, për konfirmimin e karakterit heroik të virtyteve të tij e të mrekullisë, e edhe sepse zgjodhi të dielën e Mëshirës Hyjnore, si ditë të lumturimit të tij. Jemi të bindur se kjo zgjedhje do ta përforcojë edhe më shumë fenë e dishepujve të Krishtit në Hyjin e pasur me dashuri e me mëshirë. I Lumturi Gjon Pali II, së bashku me Shën Faustinën, u bë Apostulli i madh i kësaj së vërtete”.
Apostull e njeri i lutjes së thellë. Në përkim me të gjitha dëshmitë e dëgjuara nga goja e atyre, që e njohën personalisht, edhe kardinali Bertone pohoi se ishte pikërisht lutja e vazhdueshme ajo, që e bëri Gjon Palin II mbrojtës të dinjitetit të çdo njeriu, parë si bir i Zotit. Pa lutjen, ai do të kishte mbetur luftëtar i thjeshtë në fushën e betejave të ideologjive politiko-shoqërore:
“Sot falënderojmë Zotin, i cili na dhuroi një dëshmitar kaq të besueshëm, si ai, kaq transparent, që na mësoi si duhet ta jetojmë fenë e si t’i mbrojmë vlerat e krishtera, duke filluar nga jeta: pa komplekse, pa frikë. Ashtu si na mësoi se feja duhet dëshmuar me guxim, pa asnjë lëkundje, duke i jetuar Lumturitë në jetën e përditshme”.
Si Papë, pohoi kardinali Bertone, Gjon Pali II i dha Kishës projektim universal dhe autoritet moral të nivelit botëror, që s’ishte parë ndonjëherë. E kur nuk mundi më t’i shkelte me këmbë kufijtë e largët, e la botën. Na dha kështu, ne të gjithëve, tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit, një mësim të madh, duke na treguar si duhet të jetë Njeriu i vërtetë, që e lëshon vetveten plotësisht në krahët e Zotit:
“Falënderojmë Zotin, që na dhuroi një shenjt si Papën Vojtila. Ishte njeri i vërtetë, sepse i lidhur pazgjidhshmërisht me Atë, që është e Vërteta. Duke ndjekur atë, që është Rruga, ishte njeri përherë në udhëtim, gjithnjë në kërkim të së mirës më të madhe për çdo njeri, për Kishën e për botën, me syrin e ngulur drejt cakut, i cili për çdo besimtar, është lavdia e Atit. Ishte njeri plot jetë, sepse përplot me Jetën, që është Krishti; me zemër të hapur për hirin e tij e për të gjitha dhantitë e Shpirtit Shenjt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.