2011-05-01 16:53:25

Shqipëria e Kosova me 90 delegacione nga mbarë bota, nderojnë Gjon Palin II të Lumtur


Sot bota u kthye edhe një herë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pas gjashtë vjetësh, për të përshëndetur ceremoninë e lumturimit të Gjon Palit II, Papën që me gjestet e tij dhe fjalët e tij e ka ndryshuar historinë bashkëkohore. Gjashtë vjet vdekjes së Atit të Shenjtë Vojtila, njerëz të thjeshtë e kryetar shtetesh e qeverish – e sot 90 delegacione nga Vende të ndryshme të botës, ndër to edhe delegacionet shtetërore të Shqipërisë e të Kosovës – morën pjesë në Meshën e Shenjtë e kur papa Racinger shqiptoi latinisht formulën që e shpalli të Lum Papën globetrotter dhe u zbulua figura gjigante e portretit të Vojtilës, u lartua një duartrokitje e fuqishme e edhe një herë u dëgjua klithma ‘Shenjtë Menjëherë’. Një turmë e pafund shtegtarësh njëzëri e njëzemre e nderoi kolosin e fesë e të njerëzimit.
Shqipëria përfaqësohej sot në Vatikan nga personalitete si Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha si dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, si dhe nga Ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë zoti Rrok Logu.
Kosova përfaqësohej nga personalitete si Kryeministri Hashim Thaçi e nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, e po kështu edhe Ambasadori i Kosovës pranë Italisë, zoti Albert Prenkaj.
Po lidhur me praninë e delegacioneve të Vendeve të ndryshme të botës në ceremoninë e sotme të lumturimit të Gjon Palit II në Vatikan, duhet nënvizuar faktin rreth një njoftimi të pasaktë që është botuar ndër agjenci lajmesh, gazeta e faqe interneti në gjuhën shqipe, se delegacionet shtetërore të përbëra nga personalitete të larta nga Shqipëria e nga Kosova “morën pjese në Vatikan me ftesë të Selisë së Shenjtë”.
Siç dihet, Selia e Shenjtë nuk bënë ftesa për kremtime e raste të tilla, por janë pikërisht Shtetet e Qeveritë e ndryshme që shprehin dëshirën e tyre për të marrë pjesë në ngjarje si kjo e sotme. E Selia e Shenjtë përgjigjet në dëshirat dhe kërkesat që mbërrijnë në Vatikan. Kështu ndodhi edhe kësaj here me të gjitha delegacionet e botës e po kështu edhe me ato nga Shqipëria e nga Kosova.







All the contents on this site are copyrighted ©.